Policia jep informacion nga aksidenti i rëndë i furgonit Berat–Tiranë, 2 të vdekur dhe 15 të plagosur

Detaje nga vendi ku ndodhi aksidenti i rëndë i një furgoni të linjës Berat–Tiranë ka dhënë për mediat Drejtori i Policisë Rrugore.
Sipas oficerit Perlat Vatoci, njoftimi për ngjarjen është marrë rreth orës 15:00. Ai sqaroi se, paraprakisht, mjeti ka humbur kontrollin, është përplasur fillimisht me trafikndarësen dhe më pas ka dalë nga rruga.
Nga ky aksident, bëri të ditur ai, kanë humbur jetën dy persona, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur. Njëri prej të lënduarve ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa mes tyre është edhe një fëmijë, për të cilin raportohet se ka gjendje shëndetësore jo të mirë.
Vatoci deklaroi gjithashtu se dyshimet e para janë se automjeti ka dalë nga kontrolli. Ai theksoi se furgoni ishte i licencuar për itinerarin Berat–Tiranë dhe anasjelltas dhe se në çastin e aksidentit ishte duke udhëtuar në drejtim të kryeqytetit.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje.


