Dritan Goxhaj e 10 të tjerë vihen nën hetim, Policia: Bllokuan rrugët në tubimet e zhvilluara më 22 dhe 23 qershor

11 shtetas janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës pas tubimeve të zhvilluara më 22 dhe 23 qershor në kryeqytet.
Sipas policisë, personat dyshohet se kanë zhvendosur zhvillimin e tubimeve jashtë zonave të njoftuara zyrtarisht, duke sjellë pengim të qarkullimit të automjeteve dhe lëvizjes së qytetarëve në disa akse kryesore.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, ...
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor 2026 në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar për përfshirje në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
Konkretisht, janë proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç; I. D., 55 vjeç; E. E., 32 vjeç; E. B., 29 vjeç; V. D., 30 vjeç; E. Z., 26 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; B. K., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme nga ato të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë të lëvizjes së automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e mjeteve dhe e qytetarëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


