Po transferohej në burg tjetër! Arratiset 23-vjeçari shqiptar në Gjermani, nis kërkimi në shkallë të gjerë

Një shtetas shqiptar 23-vjeç është arratisur të enjten rreth orës 09:00 në distriktin Baden Aargau, Gjermani, pikërisht në momentin kur po përgatitej të transferohej në një tjetër burg.
Sipas mediave gjermane, i riu, ndonëse i prangosur, ka mundur t’u shpëtojë punonjësve të sigurisë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia gjermane ka publikuar një foto të tij, pa bërë të ditur identitetin.
Në momentin e arratisjes, shqiptari ishte i veshur me pantallona të zeza, xhaketë të zezë dhe këpucë të bardha. Menjëherë pas ngjarjes, u organizua një operacion kërkimi, por pa rezultat.
I arratisuri është dënuar nga një gjykatë e shkallës së parë për krime kundër pronës, por vendimi ndaj tij nuk është ende i formës së prerë.
Policia gjermane u ka bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse e shohin 23-vjeçarin, duke sqaruar se ai nuk konsiderohet person i rrezikshëm.


