Zbardhet plagosja e dyfishtë me armë zjarri në Laprakë, policia shpall në kërkim 36-vjeçarin (EMRI)

Policia zbardh brenda 24 orëve plagosjen e Bledar Dautit dhe Dashamir Tahirit. Autori i dyshuar është identifikuar dhe po kërkohet intensivisht
Tiranë, zbardhet plagosja e dyfishtë në Laprakë: Në kërkim Arbër Krrashi, dyshohet se qëlloi Bledar Dautin dhe Dashamir Tahirin
Tiranë – Policia e Tiranës ka zbardhur brenda 24 orëve plagosjen e dyfishtë me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e 8 shtatorit në zonën e Laprakës.
Të plagosurit janë Bledar Dauti dhe Dashamir Tahiri, të cilët sipas policisë janë miq me njëri-tjetrin dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, është identifikuar si autor i dyshuar Arbër Krrashi, 36 vjeç, banues në Tiranë.
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:20 të së martës, në Laprakë.
Sipas policisë, 36-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Dautit dhe Tahirit për motive të dobëta dhe më pas është larguar nga vendngjarja me automjet.
Policia bën të ditur se po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e Arbër Krrashit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


