Përplasja te “Regina”, Luan Muça tregon versionin e tij: Reklamonin shtije apartamentesh në tokën time në Palasë!

Biznesmeni Luan Muça, pronari i firmës “Delta”, ka reaguar publikisht pas përplasjes me biznesmenin Vasil Bedinaj në ambientet e hotelit të këtij të fundit, “Regina Palm Resort”, në Vlorë.
Luan Muça sqaron se konflikti mes tyre lidhet me një çështje pronësie, ndërsa mohon akuzat se i ka vendosur gjobë prej 5 milionë eurosh Vasil Bedinajt.
Në reagimin e tij, sipërmarrësi Muça pretendon se prej vitit 2019 ka investuar në zonën e Palasës, ku thotë se ka blerë nga pronarë vendas rreth 97 mijë metra katrorë tokë dhe pasi ka marrë lejen ka nisur punimet për hotelin.
Po atë vit, Muça thotë se ka zbuluar se në rrjetet sociale po reklamohej për shitjen e njësive, apartamenteve apo vilave të ndryshme nga një projekt ndërtimi që ishte dhënë mbi tokën që pretendon se ka blerë në Palasë.
Muça thotë se pas konstatimit të kësaj situate iu drejtua Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), ku pretendon se u informua se do të verifikoheshin dokumentet e palëve dhe se, deri në përfundimin e verifikimeve, nuk do të zbardhej leja e ndërtimit.
Sipas tij, rreth një orë më vonë është telefonuar nga Vasil Bedinaj, i cili i ka kërkuar të mos i ekspozonte në AZHT pretendimet e tij mbi pronën. Muça pretendon se gjatë telefonatës u vendos që të takoheshin në Orikum, në hotelin e Bedinajt, për të diskutuar situatën.
Biznesmeni thotë se e kishte njohur Bedinajn rreth një vit më parë, pasi ky i fundit ishte paraqitur në kantierin e tij në Palasë, duke kërkuar një takim lidhur me disa pretendime për kufirin e pronës.
“Kur shkova atje, z. Bedinaj nuk ishte vetëm, por ishte i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish të armatosur”, pretendon Muça.
Ai shton se në takimin në Orikum ka shkuar i shoqëruar nga familjarë të tij, ndërsa pretendon se situata është tensionuar sapo ka nisur t’i shpjegojë Bedinajt pretendimet e tij për pronën.
Sipas Muçës, Bedinaj e ka ofenduar dhe më pas ka thirrur persona të armatosur, të cilët, sipas tij, ndodheshin në ambiente të ndryshme të hotelit. Muça pretendon më tej se, teksa po largohej nga ambientet e hotelit, personat që, sipas tij, ishin thirrur nga Bedinaj, kanë qëlluar me armë.
Ndër të tjera, në reagimin e tij, biznesmeni ka folur edhe mbi akuzën e Bedinajt se Muça i ka vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh. Muça e mohon kategorikisht këtë pretendim dhe akuzon palën tjetër për manipulim të opinionit publik.
“Kam qenë shumë i çuditur që, gjatë kësaj situate, z. Bedinaj kishte qetësinë dhe përkujdesjen që, në të gjitha mediat mbi të cilat kishte ndikim, të shpërndante lajme të rreme, sipas të cilave unë i kisha vendosur gjobë, si dhe të shpërndante pamjet filmike nga këndet që ai dëshironte”, shkruan ai.
Muça thotë se ka mësuar se kjo nuk do të ishte hera e parë që, sipas tij, Bedinaj tenton të ndikojë në perceptimin publik për përplasjet e tij.
“Fantazia e gjobës ndaj një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist, polic apo plazhist, është një fantazi dashakeqe e një grupi personash që mendojnë se, duke vjedhur pronat e të tjerëve, mund të bësh edhe para, të dalësh edhe burrë i mirë dhe të quhesh biznesmen”, shprehet Muça.
Në përfundim të reagimit, biznesmeni thotë se është i gatshëm t’u vendosë në dispozicion mediave dhe opinionit publik dokumentet që lidhen me pretendimet e tij për pronësinë dhe projektin në Palasë.
Reagim publik
Kam heshtur deri tani, sepse në pozitën ku kam qenë e kam pasur të pamundur të flas dhe mendoj se publiku ka të drejtën ta dëgjojë të vërtetën drejtpërdrejt nga unë.
Që prej vitit 2019, kam vendosur të ndërmarr një investim në zonën e Palasës. Gjatë kësaj kohe, kam blerë në Palasë, nga shumë pronarë vendas, 97.000 m² tokë. Jam detyruar që, gjatë kësaj periudhe, pjesën më të madhe të tokës ta blej edhe nga dy herë.
Më datë 15.07.2021, kam aplikuar dhe kam marrë statusin e investitorit strategjik, mbështetur mbi një projekt të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA (Emre Arolat Architecture).
Në vitin 2022, mbi një pjesë të kësaj sipërfaqeje (26.000 m²), kam aplikuar për lejen e fazës së parë të ndërtimit të një hoteli me brand ndërkombëtar, me 5 yje.
Në vitin 2024, kam zbardhur lejen dhe kam filluar punimet për ndërtimin e këtij hoteli me brand ndërkombëtar.
Po në vitin 2024, kam bërë aplikim për fazën e dytë të këtij projekti.
Në mënyrë rastësore, nga rrjetet sociale, kam parë se ishte dhënë një leje në tokën që unë kam blerë dhe mbi të cilën ishte dhënë statusi i investitorit, sipas masterplanit të EEA Studio. Madje, po reklamohej për shitjen e njësive, apartamenteve apo vilave të ndryshme.
Pas kësaj, i jam drejtuar AZHT-së për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështjeje. Pas komunikimit që pata, më njoftuan se do të verifikoheshin të gjitha dokumentet e palëve dhe se, deri në momentin e përfundimit të verifikimit të dokumenteve, nuk do të kishte zbardhje të lejes së ndërtimit.
Pas rreth një ore, jam telefonuar nga shtetasi Vasil Bedinaj, i cili më kërkoi të mos i ekspozoja në AZHT pretendimet e mia mbi pronën time. Gjatë kësaj telefonate, u vendos që të takoheshim në Orikum, te hoteli i z. Bedinaj, për të diskutuar rreth kësaj situate. (Z. Bedinaj e kam njohur rreth një vit më parë, pasi ishte paraqitur në kantierin ku unë po ndërtoj në Palasë, duke kërkuar takim me mua në lidhje me disa pretendime që kishte për kufirin e pronës. Kur shkova atje, z. Bedinaj nuk ishte vetëm, por ishte i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish të armatosur.)
Kështu, i shoqëruar nga familjarë të mi, kam shkuar, me ftesën e tij, në ambientet e biznesit të tij.
Pasi jemi takuar në Orikum dhe jemi ulur në tavolinë, sapo kam nisur t’i shpjegoj pretendimet e mia, z. Bedinaj e ka tensionuar situatën me pretendimet e veta, duke sharë dhe ofenduar.
Edhe pse nga kamerat që z. Bedinaj i ka servirur opinionit publik kjo nuk duket qartë, në këtë moment ai thirri njerëz të armatosur, të cilët ishin të pozicionuar në vende të ndryshme të ambienteve të tij.
Në këtë moment, situata ka degraduar dhe unë kam kuptuar se z. Bedinaj nuk më kishte thirrur për t’u sqaruar, por për të prodhuar skandalin e tij të radhës. Për këtë arsye, jam ngritur dhe kam ikur.
Duke dalë nga ambientet e z. Bedinaj, njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh. Për sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e plotë të grupit të qitësve.
Jam çuditur shumë që, gjatë kësaj situate, z. Bedinaj kishte qetësinë dhe përkujdesjen që, në të gjitha mediat mbi të cilat kishte ndikim, të shpërndante lajme të rreme, sipas të cilave unë i kisha vendosur gjobë, si dhe të shpërndante pamjet filmike nga këndet që ai dëshironte.
Kam mësuar këto ditë se nuk është hera e parë që z. Bedinaj manipulon opinionin publik për përplasjet e tij. Këtë gjë ka tentuar ta bëjë edhe në rastin tim.
Çuditërisht dhe paradoksalisht, të vetmit që e kanë besuar këtë gjë kanë qenë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët më kanë mbajtur të ndaluar për 72 ore me akuzën e gjobëvënies ndaj z. Bedinaj.
Unë nuk mund të flas për veten time, pasi nuk e kam bërë kurrë më parë, sepse kam besuar se për njerëzit flasin punët dhe veprat e tyre.
Besoj se opinioni publik është i njohur me punët, brandet dhe kompanitë që kemi krijuar brenda dhe jashtë vendit.
Modestisht, mund të them se jam krijues dhe zhvillues i një konglomerati kompanish që operojnë në 4 kontinente, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indinë, si dhe vende si Italia, Senegali, Tunizia, Egjipti dhe, sigurisht, Ballkani, me një qarkullim vjetor multimilionësh.
Në këtë kontekst, fantazia e gjobës ndaj një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist, polic apo plazhist, është një fantazi dashakeqe e një grupi personash që mendojnë se, duke vjedhur pronat e të tjerëve, mund të bësh edhe para, të dalësh edhe burrë i mirë dhe të quhesh biznesmen.
Në fund, jam i gatshëm t’i vendos në dispozicion opinionit publik dhe mediave çdo dokument për të cilin kam shkruar në këtë reagim.
Luan Muça
Delta Corporation


