Shqiptarët që thyen rekorde Guinness, nga akrobacia te futbolli

Soft

Shqiptarët që thyen rekorde Guinness, nga akrobacia te futbolli

Shqiptarët vijojnë të spikasin në skenën ndërkombëtare të rekordeve Guinness, me sfida që variojnë nga akrobacia dhe ekuilibri ekstrem te kontrolli i topit të futbollit.

Vëllezërit Artan dhe Arnold Balla kanë hyrë për herë të tretë në Librin e Rekordeve Guinness. Më 23 qershor 2026, në New York, ata vendosën rekordin për kohëzgjatjen më të madhe të balancimit të një personi me kokë poshtë mbi një dorë, duke e mbajtur pozicionin për 31.22 sekonda.

Arnold Balla tha se pas këtij rezultati qëndrojnë 18 vite punë dhe përgatitje profesionale në fushën e akrobacisë.

“Përgatitja për këtë rekord është si rezultat i 18 viteve punë që ne i kemi si profesionistë artistë profesionistë edhe ne e realizuam rekordin për 22 sekonda, por që në realitet janë 18 vite punë për të arritur në këto nivele”, u shpreh ai.

Edhe Artan Balla e cilësoi rekordin si rezultat të një pune të gjatë dhe të një objektivi që, sipas tij, fillimisht nuk ishte menduar si i arritshëm.

“Si vëllezërit Balla gjithë projekti jonë ka qenë gjithmonë që ajo çfarë ne kemi arritur ka qenë diçka që nuk ishte menduar ndonjëherë”, tha ai, duke shtuar se mbështetja e ekipit dhe bashkëpunëtorëve i ka ndihmuar të arrijnë rekordin e tretë.

Pas tre rekordeve Guinness, vëllezërit Balla synojnë një tjetër sfidë. Nëse vendosin të thyejnë një rekord të ri, dëshira e tyre është që këtë herë ta realizojnë në trojet shqiptare. Paralelisht, ata po përgatiten edhe për një projekt të ri artistik, një shou të madh që synojnë ta prezantojnë në New York.

Në një tjetër disiplinë, profesori i matematikës Agim Agushi ka vendosur gjithashtu emrin e tij në Librin e Rekordeve Guinness. Ai ka thyer rekordin e mëparshëm duke veshur 17 fanella ndërsa kontrollonte një top futbolli me kokë.

Rekordi i mëparshëm ishte 14 fanella, ndërsa Agushi e çoi shifrën në 17. Numri i fanellave, sipas tij, është pjesë e një sfide të përgatitur dhe të realizuar përmes stërvitjes sistematike.

Agushi po përgatitet ndërkohë për një tjetër sfidë në Dubai, ku synon të realizojë një rekord të ri në Burj Khalifa, ndërtesën më të lartë në botë.

Tre rekorde Guinness për vëllezërit Balla dhe rekorde të shumta për Agim Agushin përfaqësojnë sfida të ndryshme, por me të njëjtin synim: të promovojnë aftësitë e tyre dhe të lënë gjurmë me emrin e shqiptarëve në librin e rekordeve botërore.

ME TE LEXUARAT