Përkeqësohet situata e zjarreve në vend gjatë natës/ Flakët në Borsh u afrohen edhe bizneseve, evakuohen banorët dhe turistët!

Situata nga zjarret është përkeqësuar gjatë orëve të natës. Në Borsh flakët i janë afruar zonës së plazhit, ndërsa rruga Himarë-Sarandë pranë Borshit momentalisht është e pakalueshme. Sipas raportimeve, autoritetet kanë evakuuar shumë banorë të cilët jetojnë në banesat që rrezikohen nga zjarri masiv, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka bërë me dije se në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë për fikjen e zjarreve. Mali i Shashicës në afërsi të fshatit Kaninë është përfshirë gjithashtu mbrëmjen e djeshme nga një zjarr që mori përmasa masive. Bëhet me dije se flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me bimësi të dendur.
Ndërkohë era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit me ritme të shpejta në drejtim të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë, duke rrezikuar zonat e banuara dhe stanet e bagëtive në afërsi.
Kjo vatër zjarri dyshohet se është ndezur qëllimisht, ndërsa në pranga lidhur me këtë është vënë shtetasi E.F., banues në Kaninë, ndaj të cilit ka nisur procedim penal për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Motivi i zjarrvënies dyshohet të jetë hapja e kullotave të reja për bagëtinë, një praktikë e ndaluar që ka sjellë pasoja të rënda mjedisore dhe rrezik për banorët lokalë.•


