Përgjimet SKY ECC/Arrestimi i ish-gjyqtares Pajtime Fetahu, pagesa 11 mijë euro me flori nga Çopjat

Operacioni në shkallë të gjerë në disa qarqe të vendit kundër organizatës Çopja dhe jo vetëm, nisi prej 31 Korrikut të këtij viti, kur u zbuluan ngjarje të rënda kriminale nga SPAK, por edhe dyshimet për përfshirje të njerëzve të drejtësisë.
Sipas informacioneve paraprake, urdhër-arrestet janë lëshuar pas deklarimeve të të penduarve të drejtësisë, si dhe bazuar në komunikimet në Sky Ecc.
Mes tyre edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, e ndëshkuar më parë me procedime disiplinore dhe dorëhequr nga Drejtësia më 2022, Pajtime Fetahu, që dyshohet se ka ndihmuar bandën në fjalë.
Ndaj saj u njoftua më 2 Gusht se ishte vendosur masë sigurie “arrest shtëpie” nga GJKKO, me kërkesë të SPAK . Gjyqtarja dyshohet se ka falsifikuar një vendim gjyqësor.
Gjatë masës së sigurisë, mësohet se magjistratja Fetahu është përlotur në sallën e gjyqit.
“Nuk kam dijeni për këto që më akuzoni ”, është shprehur ish-gjyqtarja në sallën e gjyqit.
Kujtojmë që emri i saj doli në operacionin e SPAK “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 udhër-arreste.
Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu dyshohet se mund të ketë lidhje me historitë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Sipas njoftimit të SPAK, punonjësja e Gjykatës u ka dhënë vëllezërve informacione sekret.
Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu sipas SPAK dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.
“Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan”, thuhet ne njoftimin e SPAK.
Ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të Vettingut.
Fetahu njihej nga grupi i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja si “Komshija”, ndërsa u kontaktua për të dëmtuar Erion Alibejn e favorizuar anëtarët e grupit rival.
Të dhënat e mësipërme u përftuan nga zbërthimi i bisedave në aplikacionet SKY EC, ku rezulton se Arzen Mama, i ka shfrytëzuar këto njohje për të marrë prej ish-gjyqtares Pajtime Fetahu
Është e njëjta gjyqtare që do vendoste arrest në burg për kundërshtarin më të fortë të Çopjave, Erion Alibejn, informacion që vetë përfaqësuesja e togës së zezë, ia komunikon Mamës.
Ndërkohë përmes këtij të fundit, Mikael Qosja, një besnik i Çopjave, i kërkon gjyqtares të favorizojë dhe lehtësojë pozitat e Ervis Dakës dhe Altin Kamami që ishin pjesë e grupit të tyre.
Sipas dosjes hetimore, Pajtime Fetahu ka marrë nga shtetasi Mikael Kamami (Qosja) nëpërmjet Arzen Mamës shuma monetare si përfitim i padrejtë, 10.000 Euro, 1.000 Euro dhe një monedhe floriri si dhuratë për mbesën e porsalindur, thuhet në dosjen hetimore të SPAK. Në bisedat mes anëtarëve të grupit, evidentohet fakti se Fetahu kërkonte edhe një aparat celular prej tyre.
Në operacionin e SPAK mase arresti u lëshua në atë kohë edhe per zv.drejtorin e burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.


