Përfundon epoka e burgut të Zaharisë, nis transferimi i 325 të burgosurve drejt Shënkollit

Një operacion që pritet të zgjasë dy ditë ka nisur të shtunën për transferimin e 325 të burgosurve në Zahari që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor në drejtim të Shënkollit.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka inspektuar mëngjesin e të shtunës drejt ambienteve ku do të shkojnë 325 të burgosurit. Dy blloqe në burgun e Shënkollit janë rikonstruktuar dhe janë përshtatur për ta.
“Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shën Koll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, deklaroi Manja.
Ai ka vlerësuar punën e bërë, duke theksuar se pas më shumë se 20 viteve rekomandimesh e vërejtjesh, është realizuar mbyllja e një prej institucioneve më të kritikuara dhe të amortizuara.
Sipas ministrit qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.
Burgu i Zaharisë ndodhet 15 kilometra larg Tiranës dhe shpesh është kritikuar për gjendjen e tij të rrënuar.
Më herët të sëmurët mendorë që kryenin krime mbylleshin në Burgun e Zaharisë nga mungesa e një institucioni të përshtatshëm.
Ka qenë Gjykata e Lartë ajo që e ka konsideruar trajtim çnjerëzor atë që ka ndodhur aty.tch


