Pas 35 vitesh pritje, infrastruktura dhe ndriçimi në Mirditë marrin një tjetër pamje

Fshati Jezull, i vendosur pranë qytetit të Rrëshenit, ka përjetuar një ndryshim të rëndësishëm pasi për herë të parë pas 35 vitesh u pajis me rrugë të asfaltuar. Segmenti rrugor, me një gjatësi prej 1.5 km, është rikonstruktuar duke lehtësuar lëvizjen e banorëve. Kjo ndërhyrje u mundëson atyre transport më të lehtë të produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt tregut.
“Rruga ka qenë në gjendje skandaloze. Tani është asfaltuar dhe na ka zgjidh punë se kishte 35 vite që ishte lënë në harresë. Kemi prit me vite për këtë rrugë. Shpresojme se do sjellë zhvillim për tregtinë e bujqësinë”, thanë banorët.
Ky investim është pjesë e një sërë projektesh infrastrukturore që po realizohen në Bashkinë Mirditë. Pas përmirësimit të rrugëve, trotuareve dhe hapësirave të gjelbëruara në qytet, vëmendja tashmë është zhvendosur drejt qytezave të Rubikut dhe Repsit, si dhe fshatrave Kodër Rrëshen dhe Ndërfanë. Kryebashkiaku thekson se Rrësheni ka dalë nga errësira falë instalimit të ndriçuesve në çdo rrugë dhe lagje, duke sjellë një ndryshim të ndjeshëm në jetën e banorëve.
“Kemi bërë ndërhyrje thelbësore në qytet dhe tashmë po investojmë në periferi. Infrastrukturë në disa qendra të njësive administrative për të rikthyer jetesën në kushte normale, sepse fatkeqësisht janë shpopulluar”, tha Albert Mëlyshi, kryetar i bashkisë së Mirditës.
Investimet në infrastrukturën rrugore po realizohen me fondet e Bashkisë Mirditë, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm në jetën e banorëve. Paralelisht, në disa fshatra po ndërtohen shtatë ura, tre prej të cilave janë duke u realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes.
Ndërkohë, Qeveria ka alokuar rreth 1.2 milionë euro për projektin e rindërtimit pas tërmetit, nga i cili do të përfitojnë dhjetëra familje që aktualisht janë pa strehë. Ky investim synon të rikthejë stabilitetin për shumë banorë të prekur nga fatkeqësia natyrore.


