Parandalohet atentat i mundshëm në Vaun e Dejës, 38-vjeçari kapet me minë me telekomandë

Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në Vau i Dejës, duke arrestuar një 38-vjeçar që transportonte një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë.
Operacioni policor i koduar “Remote” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, policia ndaloi automjetin me të cilin lëvizte i dyshuari. Nga kontrolli u gjet dhe u sekuestrua një minë me telekomandë, e lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Po ashtu u sekuestruan automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Në pranga ra shtetasi Euglen Buraku, 38 vjeç, banues në Spitallë të Durrësit, ndërsa u shpall në kërkim E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga një 38-vjeçar, i cili u kap duke transportuar një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë.
Shpallet në kërkim një 34-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i 38-vjeçarit, Euglen Buraku.
Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, një minë me telekomandë, një automjet, një maskë dhe dy telefona celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte një minë me telekomandë, kanë organizuar menjëherë ndërhyrjen, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.
Rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, u ndalua për kontroll automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Gjithashtu, u sekuestruan automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u vu në pranga shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rast.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e destinacionit dhe qëllimit të transportimit të minës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.


