Gjykata liron 19 protestuesit e arrestuar, vetëm 2 prej tyre në arrest shtëpie/ Avokati: Proces i paligjshëm

Gjykata e Tiranës liron të 19 protestuesit e arrestuar më 2 korrik para Parlamentit, edhe pse i cilësoi ndalimet të ligjshme, pavarësisht pretendimeve të avokatëve.
Vetëm dy prej tyre do qëndrojnë në arrest shtëpie dhe të tjerët në detyrim paraqitjeje.
Prokuroria ngriti 5 akuza ndaj tyre, kryesisht kundërshtim ndaj Policisë, shkatërrim prone, prishje qetësie, organizim tubimi të paligjshëm dhe bllokim të mjeteve të transportit.
Avokati Dorian Matlija pas seancës u shpreh:
“Vetëm 19 persona lidheshin me protestën, dy ishin më vete. Dy persona kërkoi arrest me burg, për të tjerët kërkoi detyrim paraqitje. Për personat me mbiemrat Bardhi e Gega u la arrest shtëpie nga burg që u kërkua dhe gjithë të tjerët detyrim paraqitje, kurse për 5 nuk u la masë fare. Disa e kanë një herë në muaj dhe disa dy herë në muaj. Arrestimi u cilësua i ligjshëm, megjithë kundërshtimin tonë, sepse Policia nuk kishte konkretizuar sjelljen e shumë personave, por vetëm për pak persona. Gjykatës iu kërkua që të mos instrumentalizohej e për të mos dhënë mesazh ndaj protestuesve, se nuk kanë pse të kenë frikë dhe të kapën në mënyrë kolektive e të vuajnë 72 orëshi në komisariat. Gjykata e la të padiskutueshme këtë pjesë në lidhje me raportin e policisë”.
Matlija vuri në dukje se në seancë u panë shumë protestues me shenja dhune në trup.
Në fund të seancës, qindra qytetarë që ishin solidarizuar prej 6 orësh para Gjykatës thirrën “Fitore, fitore” apo “Arresto Ballukun”.
Grumbullimi i qindra qytetarëve
Qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sot (5 korrik) para Gjykatës Penale të Tiranës, ku u mbajt masa e sigurisë për 21 protestuesit e arrestuar gjatë tubimit te Kuvendi.
Me parulla dhe thirrje, duke sfiduar edhe temperaturat e larta, ata kërkuan lirimin e të ndaluarve, duke u shprehur se nuk ka prova dhe arrestimet janë të paligjshme. Gjithshtu janë ngritur akuza ndaj Policisë për dhunë.
Masat jepen nga gjyqtari i gatshëm Sokol Mara. Mësohet se ato jepen në grup për të gjithë dhe seanca zhvillohet me dyer të mbyllura.
Mes të arrestuarve janë:
Alban Nikolli, Elvis Bici, Altin Hila, Arben Lleshaj, Everes Bardhi, Gentian Progni, Besart Kajmi, Aristotel Elezaj, Ardit Ymaj, Niko Qarkaj, Ylli Shima, Durim Bami, Evis Gjoni, Frrok Bardhi, Elvis Bici, Alban Nikolli, Ervin Gega, Orgito Kaba, Iljon Shala, Kujtim Përvataj, Rezart Pirani, Admir Tërshalla, Romario Dushi.
Një prej protestuesve, Niko Qarkaj, nuk u ndje mirë dhe mori ndihmën e parë, teksa vuan nga epilepsia.
Prokuroria kërkoi 3 masa arresti me burg fillimisht dhe më pas ndryshoi qëndrim për një prej tyre. Për të tjerët u kërkua detyrim paraqitjeje.
Gjykata kërkoi të njihej me provat e organit të akuzës dhe ka marrë dy orë kohë për shqyrtimin e materialeve hetimore.
Avokatët kërkuan lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve për mungesë provash, teksa qindra qytetarë kanë qëndruar në solidaritet para Gjykatës.
gjykata tiranes
Një nga avokatët shpjegoi se prokurori gjatë seancës kërkoi ndryshim të qëndrimit për një nga tre personat, për shkak se ishte familjar dhe kishte fëmijë të mitur, duke e ndryshuar nga arrest në burg, në arrest shtëpie.
Prokuroria ka pretenduar se nga pamjet filmike personat e akuzuar shiheshin teksa ushtonin dhunë dhe dëmtim të mjetit të policisë. Avokatët kërkuan lirimin, duke i cilësuar arrestet të paligjshme.
“Për personin që pati shqetësime shëndetësore është pezulluar masa e sigurisë dhe iu dha ndihma e parë pasi mbërriti ambulanca dhe masa ndaj tij vijoi pas rikthimit”, tha avokati.
Trupa gjykuese pas seancës u tërhoq edhe për vendim.
Një prej thirrjeve ishte edhe “E gjithë Shqipëria është me ju” apo “Çuna, çuna jemi këtu, gjithë Shqipëria është me ju”.
Çfarë ndodhi jashtë Gjykatës
Ndërsa brenda ambienteve të gjykatës po shqyrtoheshin masat e sigurisë për protestuesit e ndaluar gjatë përplasjeve të 2 korrikut, jashtë godinës zhvillohej një protestë e fuqishme dhe plot zë.
Turma e grumbulluar ka refuzuar të shpërndahet deri në lirimin e plotë të të shoqëruarve.
Bulevardi para gjykatës ka jehuar nga thirrjet e përbashkëta të qytetarëve, të cilët kanë artikuluar qartë kërkesat e tyre përmes parullave:
“Rama në burg, çunat jashtë! Gjithë Shqipëria këtë ka dasht!”.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se seanca do ishte një e vetme ku do dalin në sallë të gjithë të arrestuarit dhe do jenë prezentë avokatët. Prokuroria ka ngritur akuza për shkatërrim prone, kundërshtim të policisë dhe organizim të paligjshëm të protestave.
Avokatët pretendojnë se nuk ka prova, pasi janë përdorur vetëm vezë dhe miell. Gjithashtu janë ngritur shqetësime dhe denoncime për dhunën policore.
Ky marshim solidarizimi vjen në momentin kur pritet që gjykata të japë masat e sigurisë për të rinjtë e arrestuar gjatë tensioneve të 2 korrikut.
Tubimi vjen si një kundërpërgjigje ndaj përplasjeve të forta që u regjistruan të enjten e kaluar përpara Parlamentit, ku seanca plenare u shoqërua me përleshje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Pas tensioneve që u shtrinë në disa zona të kryeqytetit, policia ndërmori një aksion shoqërimesh dhe arrestimesh, ndërkohë që nga përplasjet mbetën të lënduar si efektivë të policisë, ashtu edhe qytetarë.
Qytetarët e konsiderojnë mbajtjen e të rinjve në qeli si një tentativë të dështuar për të frikësuar revoltën popullore dhe shprehen të vendosur se aksioni i tyre do të përshkallëzohet nëse nuk jepet vendimi për liri absolute.


