"Para Parlamentit Evropian në Bruksel të shtunën", Robert Aliaj bën thirrjen e fortë shqiptarëve të Belgjikës

Artisti Robert Aliaj u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Belgjikë të dalin në protestë para Parlamentit Evropian në Bruksel ditën e shtunë (12 shtator) në orën 18:00.
Me anë të një postimi në Facebook, Aliaj u kërkon shqiptarëve të diasporës të shprehin solidaritet me të rinjtë që po protestojnë në Shqipëri kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe problematikave që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike.
“Ju, shqiptarët e Belgjikës, që dini çfarë do të thotë të jetosh në një shtet të së drejtës, që keni parë me sytë tuaj se si funksionon një demokraci reale, keni detyrimin moral të mos qëndroni indiferentë. Zëri juaj, solidariteti juaj, mbështetja juaj morale ndaj të rinjve që po protestojnë sot në Tiranë, në qytetet e tjera dhe në rrugët e Shqipërisë, është një akt i drejtpërdrejtë i ndërgjegjes tuaj dhe mbrojtjes së dinjitetit kombëtar”, thuhet në postimin e tij.
Robert Aliaj thekson se shqiptarët nuk kanë luksin të heshtin, por duhet të ngrihen dhe te protestojnë.
Ai u drejtohet veçanërisht shqiptarëve në Belgjikë, duke theksuar se përvoja e tyre në një shtet të së drejtës duhet t’i shtyjë të shprehin mbështetje për protestuesit në Shqipëri.
“Qëndroni krah të rinjve në emër të dinjitetit, në emër të së ardhmes, në emër të fëmijëve tuaj. Sot është dita për të qenë bashkë. Shqipëria demokratike nuk ndërtohet me heshtje. Ajo ndërtohet me kurajo dhe me solidaritet, gjuhën e zemrës”, thuhet ne postimin e tij.
Postimi i Robert Aliajt:
Ju lutem, shpërndajeni brenda mundesive tuaja kete anoncim. Nuk kam kerkuar asnjehere nje gje te tille per nevojat e mia personale.
Të shtunën, 12 SHTATOR ora 18:00 bashkohuni me ne tek PARLAMENTI EUROPIAN – PLACE LUXEMBOURG
Ndërsa një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare është ngritur në këmbë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, vjedhjeve masive dhe shkatërrimit sistematik të institucioneve demokratike, ne nuk kemi luksin e heshtjes. Kjo është kryengritje e ndërgjegjes së një populli që nuk pranon më të jetë peng i një sistemi që vjedh të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ju, shqiptarët e Belgjikës, që dini çfarë do të thotë të jetosh në një shtet të së drejtës, që keni parë me sytë tuaj se si funksionon një demokraci reale, keni detyrimin moral të mos qëndroni indiferentë. Zëri juaj, solidariteti juaj, mbështetja juaj morale ndaj të rinjve që po protestojnë sot në Tiranë, në qytetet e tjera dhe në rrugët e Shqipërisë, është një akt i drejtpërdrejtë i ndërgjegjes tuaj dhe mbrojtjes së dinjitetit kombëtar.
Mbështetja e tyre është garancia e vetme e së ardhmes së brezit të ri, e së ardhmes së fëmijëve tanë dhe e ndërtimit të një Shqipërie demokratike, të lirë nga oligarkia, korrupsioni dhe frika.
Çdo postim, çdo deklaratë, çdo thirrje publike që ju bëni nga Brukseli, Antwerpeni, Genti apo Liège-i, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj sistemit që ka mbajtur Shqipërinë peng për 36 vjet.
Ngrihuni. Flisni. Mbeshtetini.
Qëndroni krah të rinjve në emër të dinjitetit, në emër të së ardhmes, në emër të fëmijëve tuaj.
Sot është dita për të qenë bashkë.
Shqipëria demokratike nuk ndërtohet me heshtje. Ajo ndërtohet me kurajo dhe me solidaritet, gjuhën e zemrës.
Rroftë Shqipëria e Lirë.


