Kuvendi rikthehet në “betejë”/ Harta territoriale, testi i parë, PD paralajmëron ankesë në Kushtetuese dhe referendum

Politikë

Kuvendi rikthehet në “betejë”/ Harta territoriale, testi

Sesion i ri, beteja të vjetra. Më 8 shtator, deputetët rikthehen pas pushimeve në punë me detyra të mbartura, pasi në tryezë do të kenë reformat që nuk i mbyllën dot për shkak të konfliktit politik.

Bashkëjetesa politike brenda së njëjtës sallë duket se do të vijojë të jetë mision i vështirë për ligjvënësit. Testi i parë do të jetë miratimi i hartës territoriale.

Socialistët synojnë që zgjedhjet vendore të 2027 të mbahen në një territor të ri me 46 bashki. Plani i mazhorancës është miratimi i hartës së re në fillim të tetorit, por demokratët këmbëngulin te konsensusi politik.

“Kujtojmë këtu, meqë ju referuat vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese sa i përket reformës së vitit 2014, që nga ana jonë u çua në Gjykatën Kushtetuese. Objekt i debatit në gjykatë ishte gjithashtu dhe fakti nëse tre të pestat që kërkon miratimi i një reforme të tillë kërkojnë një konsensus substancial midis forcave kryesore politike për miratimin e një reforme të tillë apo pasjen nga një mazhorancë të caktuar të një numri formal votash, çka do ta bënte reformën subjekt i një vullneti elektoral për të marrë rezultat zgjedhor në një moment të caktuar”, deklaron Ivi Kaso, deputet i PD.

Opozita nuk i ka votat për ta bllokuar miratimin e hartës së re në Parlament. Në këto kushte, skenarët e demokratëve janë dy: betejë në Gjykatën Kushtetuese dhe zhvillimi i referendumeve lokale në 15 njësi vendore që refuzojnë bashkimin me bashki më të mëdha.

“Qëndrimi politik i PD është i qartë, nuk e njeh këtë produkt të njëanshëm që do të sillte fitoren në tavolinë të zgjedhjeve vendore të vitit 2027 dhe do t’i paraprinte rrëmbimit të një tjetër mandati në zgjedhjet e përgjithshme, kurdo që ato të jenë. Një nga opsionet që e ka artikuluar dhe kryetari i partisë për ta kundërshtuar atë është mbajtja e referendumeve vendore, të cilat sigurisht kanë kompleksitetin e tyre dhe vështirësinë e tyre për t’i mbajtur”, shprehet Ivi Kaso.

Krisja e paktit politik për reformën territoriale nuk ka cenuar bashkëpunimin për Kodin e ri Zgjedhor. Socialistët dhe demokratët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për reformën zgjedhore.

Shenjtërimi i ‘Nënë Terezës’ shtyu hapjen e punimeve të Kuvendit për ditën e martë. Konferenca e Kryetarëve mblidhet paraditen e 8 shtatorit për të miratuar kalendarin e punimeve, ku janë përfshirë edhe ndryshimet ligjore për rritjen e pagave të magjistratëve. Ora 17:00 e pasdites do t’i gjejë deputetët në seancë plenare, e cila ka natyrë ceremoniale, ku mesazhin kryesor pritet ta japë kryetari i Kuvendit. Deputetët kthehen të martën nga pushimet, por ditën e parë të punës kanë menduar t’ua prishin protestuesit, që do t’i presin me vezë në duar në dyert e Parlamentit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion