Nuk ofrojnë kushtet minimale për qytetarët, shoqata e transportit: Nga 1 shtatori reduktojmë flotën e urbanëve

Operatorët e transportit publik në vend paralajmërojnë reduktim të flotës së autobusëve me rreth 20-30%, duke nisur nga 1 shtatori 2026.
Në një letër drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe ministrive përgjegjëse, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban thonë se gjendja financiare e operatorëve është rënduar ndjeshëm, kryesisht për shkak të kostove të karburantit dhe mosrealizimit të kompensimeve të kërkuara.
Sipas tyre, mungesa e mbështetjes financiare e bën të pamundur vijimin e operimit me kapacitet të plotë.
Reduktimi i flotës pritet të sjellë ulje të frekuencës së autobusëve, rritje të intervaleve mes linjave dhe më shumë vështirësi për qytetarët, ndërsa operatorët paralajmërojnë se masa nuk është një zgjedhje vullnetare, por pasojë e situatës financiare.
Kërkesa vjen në një kohë që operatorët nuk ofrojnë kushtet minimale, me orare të crregullta mbërritje e nisje në cdo stacion, me mbingarkesë, ku qytetarët nuk kanë vend për tu ulur e madje as për të qëndruar në këmbë, me higjenë të rënduar dhe të papërshtatshme, me gjendjen teknike të mjeteve të amortizuar dhe me mbylljen e një vere me temperatura të larta ku përdorimi i kondicionerëve në urbane ka qenë problematik dhe në shumicën e rasteve i pamundur.

Operatorët i kërkojnë institucioneve ndërhyrje urgjente për realizimin e kompensimeve dhe vijimin e mbështetjes për kostot e karburantit.
Ata theksojnë se do të përpiqen të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit, por operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm në kushtet aktuale.


