“Nuk e kam sulmuar unë”, dëshmia në gjykatë e 25-vjeçarit që vrau babain me thikë në Durrës

Aktualitet

“Nuk e kam sulmuar unë”, dëshmia në gjykatë e

Marjan Kodheli 25-vjeçari i cili disa ditë më parë vrau babain e tij, Pjetër Kodheli doli sot para gjykatës ku u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg”. Atij i ishte caktuar një avokat nga gjykata.

Në nisje të seancës, ai u shfaq i qetë dhe jo i penduar.


Fillimisht ishte organi i akuzës që tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes më 28 tetor.

“Është marrë dëshmia e Valentinës, bashkëshortes së viktimës, e cila ka treguar se Marjani gjatë ditës ishte i mërzitur. Në momentin që ajo ka dalë jashtë për t’u kujdesur për bagëtitë, ka dëgjuar britmat e Pjetrit dhe më pas është kthyer në banesë, ku ka parë Marjanin duke e goditur të atin me thikë në trup”, deklaroi prokuroria.

Sipas organit të akuzës, autori i ngjarjes ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i ati i ka kërkuar të jetë më i kujdesshëm në pritjen e njerëzve dhe në sjellje ndaj tyre.

“Ai i ishte përgjigjur “këtu jam”, ndërsa shikonte telefonin. Në atë moment, i ati e kishte kapur për fyti dhe ai ishte ndjerë i bllokuar. Aty pranë kishte kapur një thikë dhe kishte goditur të atin. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin. Meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka  goditur sërish të atin dy herë të tjera, përpara se të merrte celularin dhe të largohej përfundimisht nga banesa”, tha prokuroria.

Ndërsa avokatja kërkoi caktimin e masës së rehabilitimit në një spital psikiatrik pasi, M. Kodheli vuan nga probleme të shëndetit mendor.

“Ende nuk arrin t’i kuptojë sjelljet e tij”, tha avokatja, e cila u shpreh për gazetarët se ndaj tij duhet t’i bëhet një akt ekspertimi për të vlerësuar gjendjen e shëndetit mendor.

Mirëpo 25-vjeçari Kodheli është shprehur se ai nuk e di kush e ka sulmuar të atin.

“Nuk jam dakord për pjesën e rrezikshmërisë. Mua po më sulmonin, nuk e di kush e ka sulmuar, nuk e kam sulmuar unë. Mund të ketë qenë dikush tjetër që e ka sulmuar. Më vjen shumë keq që jam këtu për një situatë të tillë. Mbase bëjmë një seancë tjetër kur të jem më i qetë. Unë nuk jam njeri agresiv, jam marrë punë të ndershme në ndërtim”, tha ai.

Këto nuk mjaftuan për gjykatën, e cila vendosi arrest me burg për të riun.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 28 tetor në shtëpinë e familjes në Shkallnur të Durrësit. 69-vjeçari Kodheli u godit me thikë nga i biri.

25-vjeçari M. Kodheli ishte kthyer nga Greqia rreth gjashtë muaj më parë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion