“Nuk duam revolucion me dhunë, por me votë!” / Emigranti mesazh socialistëve: Braktisni Ramën, ndërkombëtarët të reagojnë

Emigranti nga Gjermania, teksa mori fjalën në protestë, përcolli një mesazh ndaj drejtësisë shqiptare dhe ambasadave të huaja në Tiranë, duke kërkuar që të reagojnë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Kam një pyetje për gjyqtarët e GJK, të Lartë. Ku janë? A nuk po cenohet ligji? Nuk e ngrenë zërin dhe nuk e ndalojnë qeverinë duke grabitur dhe plaçkitur gjithçka. Një thirrje kam edhe për përfaqësitë diplomatike. Ato deri më tani nuk kanë reaguar. A jeni ju kundër korrupsionit? Pse nuk reagoni.
Presim që të na mbështesni dhe të thoni të vërtetën. Ambasadës së BE i them mos luani me dashurinë që kanë shqiptarët për BE. BE ështe shpresa jonë, dhe ata nuk duhet të na zhgënjejnë. Ambasadat dhe përfaqësitë duhet të thonë mendimin e tyre dhe të mbështesin vendin që është në zhvillim.”, tha ai.
Më pas përcolli një thirrje edhe ndaj socialistëve, duke thënë se ata mund të bëjnë të mundur largimin e Ramës, duke mos i dhënë votën.
“Një thirrje kam për socialistët. Nuk duam revolucion me dhunë, por me votë. Revolucioni më të mirë mund ta bëjnë socialistët duke i hequr votat Edi Ramës, që t’i heqin mundësinë të grabisë dhe shesë Shqipërinë”, tha ai.


