Një mln paund në Durrës, si i alarmoi Britania autoritetet shqiptare për paratë e fshehura në furgon

Aktualitet
Një mln paund në Durrës, si i alarmoi Britania autoritetet
Foto ilustruese

Sot, në portin e Durrësit u sekuestruan 1 milion paund cash. Paratë u gjetën të fshehura brenda një furgoni që vinte nga Anglia. 

Sinjalizimi për furgonin e mbushur me paund britanik erdhi nga autoritetet angleze. 

Të pranishëm në kontrollin e furgonit ishin Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu, nëndrejtori, shefi i Krimit Ekonomik dhe Drejtori i Doganës së Durrësit

Deklarimet e qeverisë angleze për Shqipërinë

Një javë më parë qeveria angleze e konsideroi Shqipërinë si një vend me mundësi të shumta për pastrimin e parave që vijnë nga bota e krimit.

Në të shkuarën mediat britanike kanë raportuar se grupet kriminale shqiptare në Angli paratë e fituara nga trafiku i kokainës i sjellin në Shqipëri përmes mënyrave të ndryshme. Njëra prej tyre përdorimi i fugonëve që transportojnë mallra nga Anglia në drejtim të qyteteve të ndryshme shqiptare.

Mësohet se tarifa e transportit të parave në mënyrë ilegale shkon nga 15 deri në 20% të shumës që individët janë interesuar për t’i çuar në Shqipëri.

Gjatë vitit të shkuar sipas të dhënave të publikuara nga Dogana Shqiptare janë mbi 15 raste kur personave që udhëtonin nga Londra drejt Rinasit i janë kapur sasi në Paund që varionin nga 25 mijë deri në 70 mijë sterlina.

Po ashtu në pikat e kalimit tokësor në disa raste  është bërë e mundur sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme në Paund. Një prej rasteve është ai i kapjes së 120 mijë sterlinave fshehur në një lavatriçe. Ky rast u zbulua në pikën doganore të Kakavijës.

Në të gjitha këto raste sasia e Paundëve është sekuestruar dhe personave që u është kapur i është kërkuar të vërtetojnë burimin e tyre. Në rastet kur ata nuk mundet ta bëjnë këtë paratë sekuestrohen dhe ata shkojnë për ndjekje penale për pastrim parash.

ME TE LEXUARAT