Nga shoqërimi i Zahos me makinë për në shkollë, tek kryeministri, rrëfimi ndryshe i Linda Ramës

Aktualitet

Nga shoqërimi i Zahos me makinë për në shkollë, tek

Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, ka treguar përse ka zgjedhur të mos jetë më vizibël në media që prej martesës me Edi Ramën, si i ka përjetuar sulmet dhe akuzat politike, si dhe ka zbuluar detaje të jetës së përditshme. 

Në një intervistë  “Euronews” ajo rrëfen se ka hequr dorë nga shërbimet shtetërore, nuk ka punonjës sigurie dhe ka zgjedhur të mos shoqërojë asnjëherë jashtë vendit bashkëshortin e saj.

“Unë që në ditën një, për të shmangur pikërisht këtë që thatë ju, këtë “futjen e hundëve”, privilegjet …sapo mu dha rasti refuzova të gjithë ekipin e shërbimit që ishte presupozuar të shërbente si më përpara në familjen e kryeministrit dhe atëherë kam insistuar që ekipi i shërbimit të familjes së kryeministrit të zhvendosej në Kryeministri me bindjen që kryeministri me orë të gjata është aty”, u shpreh znj. Rama.

E pyetur lidhur me zgjedhjen për të qëndruar larg daljeve të shpeshta, znj. Rama shpjegoi se kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme dhe e menduar.

“Kam qenë më vizibël deri në momentin kur u martova me Edin dhe fillova të jetoja me të. Profesionalisht gjithmonë flas, kam qenë shumë më aktive, por gjithsesi mu desh që të modifikoja diçka në të gjithë qasjen e shpalosjes në publik. Edhe me audiencat, jo domosdoshmërisht në publik por në audienca sepse ti në momentin që jeton me një politikan sigurisht mund të trajtosh me audiencë profesionin tënd, por ka të ngjarë që lajmi në fakt të jetë i lidhur me pjesën publike të asaj që ti je,” u shpreh znj. Rama.

“Për ta shmangur këtë lloj keqkuptimi por edhe për të respektuar vullnetin e njerëzve, sepse kjo është e vërteta, ata kanë zgjedhur Edin për të qenë protagonist, ata kanë zgjedhur Edin për t’i eksperimentuar të gjitha format e tij dhe Edi është shumë më i dobishëm në këtë aspekt për njerëzit kështu që unë kam dashur që t’ja le këtë arenë Edit dhe këtë kam bërë,” shtoi ajo.

Linda Rama u ndal edhe te sulmet dhe akuzat politike.

“Në momentin që unë kam filluar të jetoj me Edin, jam martuar me Edin në vitin 2010 dhe dihet që në atë periudhë për disa vite Edi ishte në fokus të shumë sulmeve dhe shumë akuzave të cilat në fakt, ndonjëherë merrnin dhe trajta të paimagjinueshme duke sakrifikuar, duke mos marrë parasysh as gra, as të vdekur dhe as fëmijë. Kjo ishte klima dhe unë kisha vendosur, e dija që kisha vendosur të lidhja jetën me një njëri me vokacion shumë të qartë politik dhe ndërkohë një njeri i cili kishte pretendimin dhe ambicien për tu bërë kryeministri i Shqipërisë,” deklaron znj. Rama.

Lidhur me përjetimin emocional të këtyre sulmeve, znj. Rama tregon se “ishte si një breshëri, të jetoje si në breshëri, që jo në pak raste pasohej nga një mërzi e madhe”.

Duke qëndruar krah kryeministrit socialist Edi Rama, bashkëshortja e tij tregon se pavarësisht eksperiencës shumëvjeçare në përballimin e këtyre sulmeve, Rama vetë shqetësohej thellësisht për pasojat që ato linin tek njerëzit e afërt që nuk kishin zgjedhur politikën.

Ajo tregoi se brenda ambienteve të Kryeministrisë ka një ambient të quajtur Dhoma e Luleve, ku mund të konsumohet dreka ose darka. Linda Rama tregon se vazhdon ta shoqërojë vetë me makinë djalin e saj Zaho, çdo ditë që ai shkon në shkollë, duke e konsideruar këtë një nga kënaqësitë më të bukura nga e cila nuk ka hequr dorë.

Ajo tha se nuk ka punonjës sigurie dhe me vetëdije kishte zgjedhur të mos e shoqëronte asnjëherë jashtë vendit bashkëshortin e saj, përveç rasteve kur prezenca e saj në vizitat e tij nevojitej për arsye protokollare.

ME TE LEXUARAT