Nga nesër vihet në zbatim receta e re! Çfarë duhet të kenë parasysh mjekët dhe stomatologët

Duke filluar nga dita e nesërme, 1 Gusht, receta mjekësore do të vijë në formatin e ri unik. Ky format i ri, të cilin duhet ta vënë në zbatim të gjithë mjekët dhe stomatologët, si në sistemin shëndetësor publik, po ashtu dhe në atë privat, është një risi në mjekësinë shqiptare.
Krahas markës, mjekët do të jenë të detyruar që të shkruajnë dhe emrin gjenerik të ilaçit, për të bërë të mundur kështu që farmacistët të mos abuzojnë si dhe parandalon influencat që bluzat e bardha mund të kenë nga kompani të caktuara farmaceutike.
Udhëzimi i ri u miratua më 11 Korrik nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ndërkohë që do vihet në fuqi ditën e nesërme. Lidhur me këtë vendim së fundmi ka ardhur dhe një reagim nga Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Defrim Goma.
Përmes një postimi zyrtar, drejtuar mjekëve dhe stomatologëve, Goma ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e tyre në mbrojtje të shëndetit të pacientëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në funksion të një shërbimi më cilësor dhe të sigurt.
Në prag të implementimit të recetave sipas formatit të ri, në përputhje me udhëzimin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ai u ka bërë thirrje mjekëve të respektojnë disa udhëzime thelbësore. Ai u kërkon që recetat të jenë të qarta dhe të plotësuara saktë, të përshkruhen detyrimisht me emrin gjenerik të barnave, të mos përshkruhen barna të paregjistruara dhe të mos i drejtojnë pacientët në farmaci të caktuara.
Ndër të tjera, presidenti thekson se mosrespektimi i këtyre udhëzimeve mund të sjellë jo vetëm vonesa në trajtim për pacientët, por edhe penalitete për profesionistët e sistemit shëndetësor. Sakaq, shtojmë se një ditë më parë, vetë ministrja Koçiu, doli në terren ku dhe u tha nga afër farmacistëve se ky model i ri i recetës, do të lehtësojë ndjeshëm punën e tyre dhe do t’u ofrojë më shumë siguri qytetarëve.


