Nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas: Dy persona përballen me drejtësinë për fajet që kryen

Specialistët e Interpol Tiranës, në bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë, kanë finalizuar procedurat për ekstradimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia, në dy operacione të ndara mes Shqipërisë, Italisë dhe Gjermanisë.
Nga Shqipëria drejt Italisë është ekstraduar shtetasi 42-vjeçar Armando Valchizan, i njohur edhe me disa identitete të tjera, përfshirë Armando Dervishi, Altin Dervishi, Armando Gheorghe dhe Martin Dervishi.
Sipas Policisë, Valchizan është dënuar në vitin 2023 nga Gjykata e Pordenones në Itali me 5 vjet e 9 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe “Emigracion i paligjshëm”.
Në rastin e dytë, nga Gjermania drejt Shqipërisë është ekstraduar një shtetas nga Venezuela, G. C., alias Y. D., 33 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës, në vitin 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Shtetasi venezuelian akuzohet për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Ekstradimet janë realizuar si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me autoritetet homologe të Italisë dhe Gjermanisë, në kuadër të procedurave për vënien përpara drejtësisë të personave të kërkuar ndërkombëtarisht.


