Nesër protesta e PD, Ambasada amerikane paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni zonën dhe tregoni kujdes

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka dalë me një njoftim për qytetarët amerikanë në prag të protestës së opozitës që do të zhvillohet nesër në kryeqytet.
Në reagimin zyrtar, ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin zonat ku do të mbahet tubimi.
“Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi”, thuhet në njoftim.
Qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në protestë dhe të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjeve në Tiranë.
Ambasada bën të ditur gjithashtu se edhe stafi i saj është udhëzuar të shmangë zonën ku pritet të zhvillohet protesta.
Sipas njoftimit, tubimi është planifikuar të nisë në orën 19:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, pranë godinës së Kryeministrisë.
Ambasada paralajmëron se protesta mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa priten masa të shtuara sigurie, bllokime rrugësh dhe kufizime të qarkullimit.
Në fund, qytetarëve amerikanë u rekomandohet të ndjekin mediat lokale për përditësime, të kenë rrugë alternative lëvizjeje dhe të shmangin ekspozimin në zona të mbipopulluara.


