Kërcënoi gjyqtarin e Fierit, policia kontrollon e banesat e “Ben Qimes”, në kërkim i forti i Fierit

Gjykata ka dhënë urdhër për kontrollin e banesave të Arben Isufajt, i njohur me nofkën “Ben Qimja”, pas akuzave të ngritura ndaj tij për kanosje me jetë të gjyqtarit Vladimir Cjapi.
Kjo lëvizje erdhi pas hetimeve të nisura për këtë ngjarje, ku Isufaj dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin Cjapi.
Arben Isufaj, i njohur me nofkën “Ben Qimja”, është një figurë e njohur në botën e krimit në Shqipëri.
Ai është i njohur për aktivitetet e tij të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës dhe veprimtari të tjera kriminale.
Gjyqtari ka depozituar kallëzimin për Arben Isufajn në prokurorinë e Fierit më datë 17 shkurt, duke pretenduar se kërcënimet prej tij i kishte marrë më 12 shkurt.
Pas marrjes së urdhrit nga gjykata, policia e Fierit me ndihmën edhe të forcave RENEA, hynë këtë të enjte në banesën e tij.
Personazhi i njohur edhe si i forti i Fierit i shpëtoi këtij kontrolli. 55-vjeçari Arben Isufaj nuk u gjet në banesën e tij në fshatin Sheq i Madh, në vend të tij policia gjeti armë dhe municione.
Brenda banesës u gjetën dhe sekuestruan, 1 armë zjarri pistoletë, 1 palë targa të huaja, jelek multifuksional si ai i Policisë, 2 pajisje regjistruese, 6 celularë dhe dokumente zyrtare, sende sipas policisë që do t’i shërbejnë hetimit. Po ashtu janë shoqëruar në polici edhe persona që kanë lidhje me 55-vjecarin Isufaj.
55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, ndërsa në të gjithë qytetin e Fierit po kryhen kontrolle intensive për kapjen e tij.
Ben Qimja njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge heroinë dhe kokainë nga Holanda, etj, ndërsa tashmë është i lirë pasi pak vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine.
Në vitin 2021 SPAK i sekuestroi 13 pasuri me dyshime se vinin nga aktiviteti kriminal.


