“Kemi vjedhur së bashku”, Nuredin Dumani nxjerr bashkëpunëtorët: Si u njoha me Gentian Sharrën

Në GJKKO vijojnë seancat gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me ngjarje të ndryshme kriminale.
Ai ka treguar detajet dhe rrethanat se si është njohur me Gentian Sharrën. Ky i fundit për herë të parë doli në dosjen e grabitjes së Rinasit, pasi ai ishte pronari i servisit ku ishte modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u përdor për grabitjen.
Sakaq, Dumani thotë se Sharrën e ka njohur përmes Talo Celës. Sipas tij, Sharra blinte makina të vjedhura dhe madje tregon se së bashku kanë kryer vjedhje dhe grabitje në Elbasan.
Ai shtoi se planin e grabitjes e kanë realizuar në shtëpinë e Talo Çelës.
“Gentian Sharrën e njoh në 2010. E njoh nëpërmjet Talo Çelës, kishte një lokal ne Bradashesh dhe një servis. Sharra blinte makina te vjedhura, kam shkuar dhe vetë ose me njerëz të tjerë duke çuar aty makina te vjedhura. Përveç kësaj kemi bërë edhe grabitje bashkë. Vjedhja e parë që kam bërë me Gent Sharrën ka qenë një makinë.
Ndërsa mbaj mend që kemi grabitur një argjendar në Elbasan. Me duket ne fund te vitit 2011 ose fillim i 2012. Gentian Sharra e planifikoi grabitjen ai ishte organizatori. Unë kam shkuar vetëm ditën e ngjarjes.Folëm tek shtëpia e Talo Çelës për planin e grabitjes. Unë kam ardhur tek shtëpia e Talos me Ilirjan Fecin.
Shtëpia e Talos është në afërsi të lokalit të Gent Sharrës. Gjatë grabitjes unë mora dy çanta, ndërsa një e mori Ilirjani. Brenda çantat kishin bizhuteri, rreth 30 ora, ndërsa flori në total kishte rreth 8 kilogramë e 300 gramë. Çantat i çuam në papafingon e shtëpisë së Talo Çelës. I lamë bizhuteritë dhe floririn mbi një tavolinë”, dëshmoi ai.


