Ndryshojnë rregullat e maturës shtetërore! Nga kontrollet e rrepta, tek masat për të shmangur rrjedhjen e tezave

Aktualitet

Ndryshojnë rregullat e maturës shtetërore! Nga kontrollet e

Që nga 2 qershori deri në 23 qershor rreth 26 mijë gjimnazistë do të zhvillojnë 4 provimet e detyrueshme të maturës shtetërore.

Ministria e Arsimit ka miratuar disa ndryshime në rregullore me synimin për të forcuar kontrollet gjatë testimit, si dhe për të shmangur rrjedhjen e tezave apo kopjimin.

Zv.ministrja e Arsimit, Oriana Osmani thotë: “Më e rëndësishme në këtë rregullore është rritja e përgjegjësive të atyre që menaxhojnë provimet e maturës, që nga përgjegjësi i administrimit, sekretuesit apo përgjegjësit e katit, të jenë shumë të bindur për detyrën që ata kanë në çdo qendër provimi. Nga ana tjetër, vazhdojnë të njëjtat rregulla për maturantët: pajisjet teknologjike si telefonat apo orët nuk janë të lejuara. Diku 3-4 penalizime kemi patur gjatë vitit të kaluar në përgjegjës administrimi që nuk angazhohen më në 2026”.

Zv.ministrja Oriana Osmani, njëherazi kryetarja e Komitetit për organizimin e maturës, tregon se rishikim do të ketë edhe në përmbajtjen e provimeve, teksa ka nisur puna për hartimin e tezave nga QSHA. Ndërkohë, nxënësve të klasave të 12 u janë shpërndarë teste model për t’u përgatitur paraprakisht: “Qendra e Shërbimeve Arsimore ka marrë masat për të organizuar grupet e hartuesve të tezave për të përditësuar fondet e pyetjeve. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimeve të vogla që kanë pësuar programet e maturës dhe sigurisht për një përditësim të njohurive që nxënësi ka marrë në këto 3 vite.”

Lista me emrat e maturantëve parashikohet të publikohet më shpejt se në maturat e të kaluarës.

“Këtë vit do të ketë një komunikim institucional më të hershëm. Flasim për nxënësit që nuk mund të mbyllin në mënyrë të suksesshme maturën; emrat e tyre do të dalin më herët dhe nuk do të jenë në listën përfundimtare të shkollave. Është detyrim i drejtuesve për të parë me vëmendje numrin e mbetësve”, shton Osmani.

Këshilla për maturantët është të jenë sistematikë në përgatitjen për maturën dhe të mos e lënë përsëritjen për ditët e fundit./Tch

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion