Ndalohet furgoni i mbushur me kuti në Shkodër, policia zbulon 2500 fidanë kanabisi, arrestohen dy të rinj

Aktualitet

Ndalohet furgoni i mbushur me kuti në Shkodër, policia zbulon 2500

Shkodër- Një tentativë për kultivimin e bimëve narkotike është goditur që në fazat e para nga Policia e Shkodrës, në kuadër të operacionit të koduar “Kutitë”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 2500 fidanë të dyshuar Cannabis Sativa, të mbjellë në kubikë, si dhe një furgon që përdorej për transportin e tyre.

Në pranga kanë rënë dy persona, Ndue  Prela dhe Safedin Lumaj, të cilët dyshohet se po transportonin fidanët nga fshati Hajmel drejt Vaut të Dejës, me qëllim kultivimin e tyre.

“Si rezultat i patrullimeve, punës informative dhe asaj operacionale, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan në afërsi të fshatit Hajmel, një automjet (furgon) me ngarkesë të dyshimtë. Automjeti u ndoq deri në Vaun e Dejës, ku u ndalua për kontrolle.

Nga kontrollet u gjetën në të, disa kuti kartoni me kubikë me 2500 fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Kutitë”, u arrestuan në flagrancë shtetasit që transportonin me furgon, kubikët, me qëllim kultivimin, S. L., 23 vjeç, banues në Shkodër, dhe N. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit”, njofton policia.

ME TE LEXUARAT