Ekzekutoi me 9 plumba shqiptarin tjetër për larje hesapesh/ Lirohet para kohe nga qelia Angjelin Sterkaj

Angjelin Sterkaj, i cili në vitin 2023 u dënua nga Gjykata e Lartë e Islandës me 16 vjet burgim për vrasjen e Armando Beqirajt, jashtë shtëpisë së tij në Reykjavík në vitin 2021, tashmë ka përfituar lirimin me kusht dhe është dëbuar nga vendi. Atij i është vendosur ndalim rikthimi në Islandë dhe në zonën Schengen.
Lajmi është konfirmuar nga drejtoresha e burgjeve, Ragna Bjarnadóttir, raporton Visir. Dëbimi i Sterkaj bazohet në një ndryshim të fundit të përkohshëm të ligjit, të miratuar nga ministri i Drejtësisë, i cili lejon që të burgosurve të huaj, për të cilët është vendosur dëbimi nga vendi, t’u jepet lirimi me kusht pasi të kenë vuajtur një të tretën e dënimit.
Ragna thotë se nuk mund të komentojë raste individuale, por shpjegon se rregulli i përgjithshëm është që, kur përdoret kjo mundësi e përkohshme, të burgosurit shoqërohen deri në vendin e tyre të origjinës nga njësia e kthimit dhe eskortës së Policisë Kombëtare, pasi Shërbimi i Burgjeve ka marrë vendimin për lirimin me kusht dhe Drejtoria e Emigracionit ka marrë vendimin për dëbimin dhe ndalimin e rikthimit.


