Nafta në Shqipëri kushton rreth 30% më shumë se mesatarja rajonale, pa masa të reja mbrojtëse

Rritja e çmimeve të karburanteve në tregun me pakicë, ka nxitur sërish qeveritë e vendeve të rajonit të ndërhyjnë përmes uljes së akcizës së naftës.
Shqipëria, edhe pse ka çmimet më të larta në rajon, nuk ka njoftuar deri tani masa të reja në këtë drejtim.
Nafta në tregun shqiptar shitet prej rreth një jave me 219 lekë për litër. Në monedhën europiane, kjo vlerë përkthehet në rreth 2.3 euro për litër, ndërsa në korrik çmimi ishte 2.06 euro.
Benzina aktualisht kushton rreth 2.1 euro për litër.
Brenda këtij intervali, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur me rreth 0.24 euro, ose 21 lekë për litër, në raport me muajin korrik.
Krahasimi i të dhënave të mbledhura nga korrespondentët e Monitor në vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se karburantet në Shqipëri vazhdojnë të tregtohen në nivele dukshëm më të larta.
Kjo ka rikthyer diskutimin për mundësinë e reduktimit të taksave mbi karburantet.
Nafta shqiptare është 41% më e shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, ku regjistrohet çmimi më i ulët në rajon. Ajo kushton gjithashtu 17% më shumë se në Serbi, e cila renditet e dyta për çmimin më të lartë pas Shqipërisë.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi në Shqipëri është 30% mbi mesataren rajonale prej 1.77 lekë për litër.
Niveli i lartë i çmimeve në Shqipëri lidhet kryesisht me barrën më të rëndë fiskale që rëndon mbi naftën.
Në vendet e rajonit çmimi zakonisht ndërtohet mbi bazën e çmimit fillestar, akcizës dhe TVSH-së së aplikuar mbi shumën e tyre. Në Shqipëri, përveç akcizës prej 0.37 euro për litër dhe TVSH-së 20%, konsumatorët paguajnë edhe dy taksa të tjera.
Bëhet fjalë për taksën e qarkullimit, në masën 27 lekë për litër, dhe taksën e karbonit, prej 3 lekësh për litër. Si pasojë, komponenti fiskal përbën rreth 50% të çmimit, ose afërsisht 100 lekë për litër.
Me gjithë rritjen e çmimeve, qeveria shqiptare nuk ka bërë të ditur deri tani ndonjë masë të re fiskale që synon uljen e tyre.
Në mars u miratua një vendim për reduktimin me 20% të akcizës së karburanteve në rast se çmimi me pakicë i naftës do të kalonte 220 lekë për litër. Për benzinën, kjo masë aktivizohet kur çmimi kalon 200 lekë për litër.
Zbatimi i këtij mekanizmi ka qenë i kufizuar. Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi më herët në një seancë të Kuvendit se masa ishte përdorur dy herë, ndërsa efekti financiar ishte përllogaritur në 37 mln lekë, ose rreth 400 mijë euro.
Mali i Zi ka ndërmarrë një tjetër ulje të akcizës.
Në Malin e Zi, çmimi i naftës referencë “Eurosuper 98” ka shkuar në 1,79 euro për litër, ndërsa eurodieseli kushton 1,87 euro për litër dhe benzina 1,76 euro për litër.
Në krahasim me korrikun, nafta është shtrenjtuar me 0.11 deri në 0.21 euro për litër.
Pas kësaj rritjeje, qeveria malazeze reagoi sërish me masa fiskale. Më 25 Gusht u vendos ulja e akcizës së naftës me 20% dhe e benzinës pa plumb me 5%. Akcizat e reja do të zbatohen deri më 5 Shtator.
Edhe pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, Mali i Zi ishte ndër vendet e para që ndërhyri për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve te fuqia blerëse e konsumatorëve. Më 22 Mars, qeveria miratoi ulje me 50% të akcizës për naftën dhe me 25% për benzinën.
Maqedonia e Veriut vijon të aplikojë uljen e akcizës.
Në Maqedoninë e Veriut, nafta gjatë muajit gusht u shit me 1.63 euro për litër, ndërsa benzina me 1.54 euro. Krahasuar me mesataren e korrikut, çmimi i naftës u rrit me 0.21 euro për litër.
Edhe pse nuk raportohet për masa të reja fiskale, në fuqi mbetet vendimi i 22 Marsit për uljen e akcizës së naftës me 0.06 euro dhe të benzinës me 0.03 euro për litër.
Në të njëjtën datë u vendos edhe ulja me 8% e TVSH-së për karburantet. Norma u reduktua nga 18% në 10%. Më 5 prill, qeveria vendosi që kjo ulje të qëndrojë në fuqi deri në përfundimin e krizës.
Deri tani nuk është marrë një vendim për rikthimin e uljes së TVSH-së me 8%.
Serbia e ka zgjatur masën për reduktimin e akcizës.
Çmimi i naftës në Serbi ka arritur në 1.96 euro për litër, ndërsa në korrik luhatej nga 1.82 deri në 1.87 euro. Në raport me muajin paraardhës, rritja ka qenë nga 0.09 deri në 0.14 euro për litër.
Pas shtrenjtimit, qeveria serbe zgjati deri në fund të gushtit vendimin për uljen me 20% të akcizës për derivatet e naftës. Ndërkohë, Ministria e Tregtisë vijon të përcaktojë çdo javë çmimin maksimal të shitjes së naftës dhe benzinës.
Bosnje-Hercegovina ka nisur zbatimin e kufizimit të marzheve.
Në pikat e shitjes me pakicë në Sarajevë, nafta kushton nga 1,69 deri në 1,82 euro për litër. Sipas të dhënave të korrespondentit, në raport me korrikun çmimi është rritur me 0.29 euro për litër.
Pas zgjidhjes së ngërçit legjislativ, qeveria boshnjake ndërhyri gjatë kësaj vale të dytë të rritjes së çmimeve duke zbatuar vendimin për kufizimin e marzheve të fitimit.
Sipas këtij vendimi, marzhi maksimal për produktet e naftës pa aditivë është përcaktuar në rreth 0.03 euro për litër në tregtinë me shumicë. Për shitjet me pakicë, kufiri është vendosur në 0.13 euro për litër.
Vendimi për kufizimin e marzhit në shitjet me pakicë në 0.13 euro për litër ishte miratuar që në muajin mars, por nuk kishte mundur të zbatohej. Pengesa lidhej me mosmiratimin e ndryshimeve në ligjin “Për akcizat” nga njëra prej dhomave të Parlamentit.
Kosova vijon të mbajë të kufizuara marzhet e fitimit.
Në Kosovë, çmimi i naftës është rritur në 1,76 euro për litër, nga 1.56 euro që ishte në korrik. Rritja llogaritet në 0.2 euro për litër, ndërsa benzina është shtrenjtuar në 1,53 euro për litër.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, edhe në Kosovë nuk është marrë ndonjë vendim për uljen e taksave. Në fuqi mbetet udhëzimi i miratuar në mars, i cili lejon marzh fitimi deri në 12 eurocent për litër në shitjet me pakicë dhe 2 eurocent për litër në tregtinë me shumicë të naftës.


