Nafta me 220 lekë, fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë sërish protesta: Duan naftë pa akcizë

Subvencionet e ulëta në bujqësi dhe blegtori, krahasuar me vendet e rajonit, kostot e larta të prodhimit, mungesa e kanaleve ujitëse dhe heqja e naftës pa akcizë janë ndër problematikat kryesore që vijojnë të penalizojnë fermerët dhe konkurrueshmërinë e sektorit. Përballë këtyre vështirësive, fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në fillim të muajit shtator, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Në javën e parë të shtatorit, përfaqësues të fermerëve dhe blegtorëve pritet t’i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë me një paketë kërkesash, që lidhen kryesisht me skemën kombëtare të bujqësisë, subvencionet, TVSH-në dhe kostot e prodhimit.
Nëse këto kërkesa nuk reflektohen në ndryshimet fiskale dhe në skemën kombëtare për vitin 2027, fermerët paralajmërojnë protesta. Sipas tyre këtë herë në protestë po diskutohet të zbresin edhe traktorët, duke e zhvendosur plotësimin e kërkesave përtej protestave të zakonshme të zhvilluara edhe më parë nga fermerët.
Për blegtorët, problemi kryesor mbetet hendeku i mbështetjes shtetërore me vendet e rajonit. Dashamir Çela, drejtues i një ferme me 60 krerë lopë në fshatin Samaticë të Beratit, thotë për Monitor se mungesa e konkurrueshmërisë po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.
“Blegtoria është në ditët e saj më të këqija. Mungesa e konkurrueshmërisë është një nga problemet kryesore me të cilat po hasen edhe ata pak blegtorë që kanë mbetur në vend. Ne prodhojmë me kosto të lartë për shkak të një sërë problemesh që ka sektori, që nga çmimi i lartë i naftës, mungesa e kanaleve ujitëse etj., dhe subvencionet e ulëta.
Sot, një blegtor në Serbi merr subvencione direkte për krerë lopë prej 350 eurosh. Përveç kësaj, paguhet edhe 16 lekë për litër qumësht të prodhuar. Në vit, një blegtor me një madhësi ferme të ngjashme me timen përfiton 45 mijë euro subvencione.
Me këtë subvencion, fermeri në Serbi, por edhe në vende të tjera të rajonit, e ka fitimin të mbrojtur nga shteti. Prandaj edhe qumështin e shet më lirë sesa fermeri shqiptar, pothuajse me koston e prodhimit.
Ndërsa ne përfitojmë 12 mijë lekë subvencion për lopë dhe, me ndryshimet e fundit të skemës, u hoqën subvencionet për viçat.
Rishikimi i subvencioneve, pra rritja e masës së tyre dhe heqja e pragjeve për krerët, mbetet një nga kërkesat kryesore të sektorit, për të cilat ne kërkojmë zgjidhje përmes ndërhyrjeve fiskale në hartimin e projektbuxhetit dhe paketës së ardhshme fiskale”, pohon ai.
Diferenca me vendet e rajonit, sipas blegtorëve po ndikojnë drejtpërdrejt me çmimet e qumështit dhe furnizimet e përpunuesve.
Sipas ekspertëve të bujqësisë në Kosovë, subvencionet arrijnë në 600 euro për një krerë lopë. Në Maqedoninë e Veriut, fermeri subvencionohet me 250 euro për krerë lopë, plus 10 lekë për litër qumësht lope të prodhuar. Në total mbështetja vjetore arrin në rreth 900 euro për qumështin.
Heqja e skemës së naftës erdhi në një periudhë kur kostot e karburanteve dhe të inputeve bujqësore ishin në rritje, duke shtuar presionin mbi fermerët.
Pas disa orësh protestë, një përfaqësi e fermerëve zhvilloi takim me ministrin e Bujqësisë dhe atë të Financave, ku u diskutuan mundësitë për rishikimin dhe plotësimin e kërkesave në muajin shtator.
Përfaqësuesit e sektorit pohuan për Monitor se kërkojnë që ndryshimet të reflektohen përpara hartimit të paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2027. Në të kundërt, protestat mund të rikthehen, këtë herë me një kërkesë më të gjerë për uljen e kostove dhe rritjen e mbështetjes për sektorin vendas.


