Mitsotakis: Greqia me qëndrim të pandryshuar ndaj Kosovës

Aktualitet

Mitsotakis: Greqia me qëndrim të pandryshuar ndaj Kosovës

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, tha të hënën në Beograd se qëndrimi i Greqisë ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar, ndërsa mënyra më e mirë për të siguruar qëndrueshmërinë në rajon është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi bashkëpunimin në sektorin e energjisë ndërmjet Beogradit dhe Athinës.

Greqia është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por i ka pranuar herët pasaportat e saj dhe ka lejuar hapjen e një zyre tregtare të Kosovës në Athinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Qëndrimi ynë në lidhje me Kosovën mbetet i pandryshuar dhe ne vazhdojmë të besojmë se rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve është përmes ndërmjetësimit dhe dialogut evropian, që do të kontribuonte shumë në qëndrueshmërinë e rajonit, një qëllim që ne të gjithë e synojmë. Ne i kemi vëzhguar dhe ndjekur nga afër zhvillimet e muajve të fundit dhe zoti Vuçiç po kërkon qëndrueshmëri”, tha kryeministri grek, sipas një përkthimi zyrtar.

Ai i shprehu mbështetjen anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor është qëllim strategjik i bllokut.

Presidenti serb tha se vendi i tij është i vendosur të vazhdojë dhe përshpejtojë rrugën evropiane dhe pret shenja të qarta nga Bashkimi Evropian për mbështetjen e saj në këtë rrugë.

Por ndonëse pohon një synim të tillë, Serbia ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Integrimi i Serbisë sikurse edhe i Kosovës në Bashkimin Evropian kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Një vit më parë palët u pajtuan për një marrëveshje që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja u mirëprit nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë. Por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta.

Vjeshtën e kaluar Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që nënkupton më shumë autonomi për këtë komunitet, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës, ndërsa Prishtina ende nuk ka filluar punën për asociacionin.

Bashkimi Evropian përsëriti disa herë se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët./ VOA

ME TE LEXUARAT