Stina e gjuetisë në vend e hapur prej 15 gushtit?! Ministria e Mjedisit tregon se çfarë po ndodh

Ministria e Mjedisit mohon se prej 15 gushtit ka nisur sezoni i gjuetisë. Në një reagim në rrjetet sociale, ministri Sofjan Jaupaj thotë se sipas ligjit, zonat e gjuetisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në mungesë të zonave të miratuara, as kalendari i gjuetisë dhe as dispozitat nuk autorizojnë aktivitetin. Ministria thotë se gjuetia e paligjshme do të ketë si pasojë kontrollet dhe penalitetet e përcaktuara në ligj.
Reagimi:
Në përgjigje të informacioneve që po qarkullojnë lidhur me pretendimin se më 15 gusht ka nisur sezoni i gjuetisë, Ministria e Mjedisit sqaron se ky informacion është i pavërtetë.
Në zbatim të Ligjit nr. 89/2025 “Për gjuetinë”, zonat e gjuetisë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Deri në miratimin e tyre sipas procedurave ligjore, ushtrimi i gjuetisë në Republikën e Shqipërisë nuk lejohet.
Për rrjedhojë, as kalendari i gjuetisë dhe as dispozitat kalimtare nuk mund të interpretohen si autorizim për ushtrimin e aktivitetit të gjuetisë në mungesë të zonave të miratuara.
Ministria u bën thirrje të gjithë gjuetarëve dhe shoqatave që t’u referohen vetëm akteve dhe njoftimeve zyrtare.
Çdo ushtrim i paligjshëm i gjuetisë do të jetë objekt i kontrolleve dhe penaliteteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.


