Meta në burg, GJKKO me njoftim zyrtar për vendimin për ish-presidentin, Kryemadhin e të akuzuarit e tjerë

Aktualitet

Meta në burg, GJKKO me njoftim zyrtar për vendimin për

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta, dhe në detyrim paraqitje Monika Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixho.

Në njoftimin zyrtar të bërë për mediat, GJKKO ka zbardhur vendimin e marrë sot dhe akuzat që rëndojnë ndaj 4 personave të akuzuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi:

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00.

Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” e caktuar ndaj personit nën hetim Piro Xhixho me masën e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”. Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30.

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim Ema Çoku, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:00.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion