Meta kërkon Ramën dëshmitar në gjyq: “Të pyetet për ligjin e minierave”

Aktualitet

Meta kërkon Ramën dëshmitar në gjyq: “Të pyetet

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij. Sipas Metës, dëshmia e kreut të qeverisë është e rëndësishme për të sqaruar rrethanat që lidhen me ligjin e minierave dhe vendimmarrjet përkatëse.

Në listën e dëshmitarëve të propozuar prej tij përfshihen gjithashtu edhe ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Gjatë seancës, Meta argumentoi se do të ishte e nevojshme edhe thirrja e ekspertëve të pavarur në fushën e minierave, për të analizuar efektet e ndryshimeve ligjore dhe për të verifikuar nëse ato kanë sjellë përfitime për subjekte të caktuara.

“Do të ishte me vlerë të thërrisnim një ekspert të pavarur për të parë se sa subjekte kanë përfituar nga ky ndryshim ligjor dhe nëse ai ka qenë i nevojshëm apo jo”, deklaroi Meta.

Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzat që lidhen me përfitime të mundshme në këmbim të vendimmarrjeve politike, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Meta tregoi edhe për lëvizjet e familjes së tij ndër vite, duke theksuar se ndryshimet e banesave nuk kanë pasur lidhje me favore apo marrëveshje të fshehta.

“Kurrë nuk kam diskutuar me askënd për të marrë apo për të lënë një shtëpi. Të gjitha këto janë lidhje absurde. Kur nuk ke një fakt, një SMS apo një e-mail, atëherë bëhen montazhe”, u shpreh ai.

Meta theksoi se për sqarimin e plotë të çështjes duhet të dëshmojnë në gjykatë jo vetëm kryeministri Rama, por edhe drejtues të tjerë të mazhorancës së kohës, të cilët sipas tij kanë pasur rol në procesin e miratimit të ligjit.

Kërkesa e Metës pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse dëshmitarët e propozuar do të thirren për të dhënë deklarimet e tyre në kuadër të procesit gjyqësor.

ME TE LEXUARAT