Me G-Class në breg të detit, 23-vjeçari ndëshkohet me 50 mijë lekë gjobë

Një 23-vjeçar u ndëshkua me 50,000 lekë gjobë pasi u kap duke lëvizur me një automjet tip “G-Class” në breg të detit, në plazhin e Vainit, Lezhë.
Ngjarja u bë publike pas një videoje që u shpërnda në rrjetet sociale, ku shihej automjeti duke qarkulluar në brezin e rërës. Policia e Lezhës reagoi menjëherë, identifikoi dhe shoqëroi drejtuesin e automjetit në komisariat.

Ai u gjobit për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor, që lidhen me qarkullimin e automjeteve në zona të ndaluara dhe rrezikimin e sigurisë së pushuesve.
Shërbimet e Policisë Rrugore falenderuan qytetarët dhe median për ndihmën në evidentimin e shkeljeve dhe apeluan për vazhdimin e denoncimeve. Policia premton reagim të menjëhershëm, të paanshëm dhe në përputhje me ligjin për çdo rast të tillë.


