Mbi 50 plu'mba ndaj babë e bir/ Cila është hasmëria e vjetër që ngriti alarmin e policisë në Dukagjin? Detaje të reja nga ngjarja

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i djeshëm në Dukagjin, ku mbetën të vrarë babë e bir, Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe Lekë Gjoni, 57 vjeç. Ngjarja e rëndë vijon të jetë në fokus të hetimeve, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.
Rreth 30 minuta pas atentatit, policia ka gjetur një automjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit. Dyshohet se pas ekzekutimit, ata janë larguar nga zona me një tjetër mjet, me qëllim humbjen e gjurmëve.
Hetuesit po analizojnë automjetin e djegur për të gjetur prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Megjithatë, fakti që mjeti është përfshirë nga flakët e bën më të vështirë sigurimin e gjurmëve të vlefshme.
Hetimi është vështirësuar edhe nga mungesa e mbulimit telefonik dhe kamerave të sigurisë në zonë. Këto kushte dyshohet se u kanë krijuar autorëve mundësinë të largohen pa lënë shumë gjurmë dhe pa u kapur nga kamerat e sigurisë.
Një nga pistat kryesore ku po përqendrohet grupi hetimor është ajo e gjakmarrjes. Dinamika e vrasjes dhe të dhënat e mbledhura deri tani kanë ngritur dyshimet se ngjarja mund të lidhet me një hasmëri të vjetër të familjes Gjoni. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe pritet që provat e mbledhura nga policia të hedhin më shumë dritë mbi motivin dhe autorët e atentatit.


