Mbetën të bllokuar nga rritja e nivelit të ujit në lumin Drini i Zi, shpëtohen 7 persona

Një operacion shpëtimi është zhvilluar në Bulqizë, ku 7 persona, të cilët kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, janë nxjerrë në siguri falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe strukturave të emergjencës.
Sipas policisë, alarmi u dha nga një qytetar, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe gjashtë familjarë të tij nuk mundën të dilnin nga rrjedha e lumit për shkak të rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit.
Njoftimi i policisë:
Policia iu vjen në ndihmë 7 qytetarëve që kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit nga një shtetas, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe 6 familjarë të tij kishin mbetur të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”, si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje.
Në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin e shërbimit zjarrfikës, u organizua operacioni i shpëtimit, gjatë të cilit 7 qytetarët u nxorën nga rrjedha e ujit me gomone.


