Mbërrijnë 60 mijë vaksina kineze, Manastirliu: Situata është normalizuar, jemi në grupmoshën +60

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga Rinasi priti ditën e sotme 60 mijë dozat e vaksinës Sinovac. Në fjalën e saj ajo tha se tashmë është grupmosha +60, ndërsa bën me dije se të hënën do mbërrijnë 40 mijë vaksina AstraZeneca.
“Sapo kanë mbërritur 60 mijë doza të vaksinës Sinovac. Këto janë pjesë të programit të dytë të marrëveshjes që është bërë nga qeveria. Kjo do të përdoret nga personat që kanë marrë vaksinën e parë dhe vaksinimi do të nisë dhe me dozën e dytë. Numri i vaksinimeve deri ditën e djeshme është 712 mijë vaksinime. Mbetet prioritet i yni vaksinimi masiv i popullatës.
Jemi në grupmoshën plus 60. Po vaksinojmë dhe me të gjithë punonjësit e fasonerive dhe punonjësit e strukturave hotelerie për të lehtësuar sezonin turistik. Do të përfshijmë edhe punonjësit e transportit publik. Situata është e normalizuar, ka një numër të qëndrueshëm të rasteve aktive, kjo edhe për faktin që vaksinimi masiv po jep efektin e vet. Është vendi për të treguar sukses”, u shpreh Manastirliu.


