Kuvendi mblidhet të mërkurën, në rend të ditës rritja e pagës së gjyqtarëve të Kushtetueses

Aktualitet

Kuvendi mblidhet të mërkurën, në rend të ditës

Ditën e nesërme do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare. Në rend të ditës, sipas dokumentit të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit është edhe pr/ligji që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Seanca plenare pritet të nisë në ora 10:00, ndërsa në rend të ditës janë tri pika. Së pari, do të diskutohet raporti i veprimtarisë së Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Më pas janë dy projektligje.

Fillimisht sipas rendit të ditës do të diskutohet pr/ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”. Dhe në fund do të diskutohet pr/ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në nenin 17 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese propozohet që neni që parashikonte se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të ishte e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndryshohet dhe rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë të reja. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë të reja.

ME TE LEXUARAT