Kushtetuesja zbardh vendimin për Elton Qynon: Materialet u sekuestruan pa asnjë indicie se do shkelej urdhri për ruajtjen e sekretit

Aktualitet

Kushtetuesja zbardh vendimin për Elton Qynon: Materialet u sekuestruan pa

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit i dha të drejtë me një vendim unanim (8 me 0) ku vendosi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave për sekuestrot e materialeve të gazetarit Qyno dhe në fund asgjësimin e tyre.

Gjykata thekson se e drejta për të mbrojtur një burim të gazetarit, si pjesë e lirisë së shtypit, është një nga elementet thelbësore të funksionimit të sistemit demokratik pluralist, megjithatë ajo mund të kufizohet vetëm me ligj për interes publik mbizotërues ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve në raport të drejtë me gjendjen që e dikton kufizimin dhe pa asgjësuar thelbin e lirisë së shtypit.

Reagimi:

Ndërsa me urdhrin e datës 14.12.2023 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kërkuesin për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit dhe informacionit masiv për sa i përket procedimit penal nr. 75/2022 dhe se në rast moszbatimi ai do të mbante përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5, të KP-së.

Pa pritur efektet e urdhrit për ruajtjen e sekretit dhe ndalimin e publikimit të akteve, dhe pa pasur ndonjë indicie që ky urdhër nuk do të zbatohej nga kërkuesi në cilësinë e gazetarit, prokuroria brenda pak orësh ka paraqitur në gjykatë kërkesat për kontrolle dhe sekuestrim të sendeve dhe provave materiale, kërkesa të cilat janë pranuar.

Në vlerësimin e Gjykatës dhe duke mbajtur në konsideratë qëllimet legjitime të sekuestrimit të të dhënave kompjuterike, kjo mënyrë veprimi e organit procedues (prokurorisë dhe gjykatave) nuk ka qenë në përpjestim të drejtë me gjendjen që e ka diktuar atë. Kështu, për sa i takon qëllimit legjitim të parandalimit të rrjedhjes së informacionit dhe të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të bashkëpunëtorit të drejtësisë (qëllimi i sekuestros preventive), duket që prokuroria dhe gjykatat e zakonshme kanë vepruar pa pritur efektet e urdhrit të sekretit hetimor, dhe për rrjedhojë edhe pa analizuar përse ishte e nevojshme të përdorej me urgjencë mjeti i fundit, ai i sekuestrimit.

Po ashtu, për sa i takon qëllimit legjitim të vërtetimit të veprave penale që po hetoheshin (sekuestro provuese), gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit dhe i vetëm, pra përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur qëllimin provues të sekuestros. Gjithashtu, nga përmbajtja e këtyre vendimeve, nuk rezulton e pasqyruar as analiza e urgjencës në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit. Për më tepër, vetë kërkuesi nuk rezulton të ishte subjekt i procedimit penal, siç u pohua shprehimisht nga subjekti i interesuar në seancë plenare.

Me fjalë të tjera, gjykatat e zakonshme nuk kanë mbajtur në konsideratë se e drejta e mbrojtjes së burimeve të gazetarit nuk është thjesht një privilegj për t'u dhënë ose hequr në varësi të ligjshmërisë ose paligjshmërisë së burimeve të tyre, por është pjesë përbërëse e së drejtës për informacion, që duhet trajtuar me kujdesin më të madh dhe se urdhri për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike potencialisht ka pasur ndikim të dëmshëm jo vetëm për kërkuesin dhe burimet e tij, por edhe për median në tërësi.

Ndonëse nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore të kundërshtuara rezulton se është urdhëruar ruajtja dhe sekuestrimi vetëm i atyre të dhënave të cilat lidhen me veprat penale për të cilat po hetohet, ky fakt nuk përjashton cenimin e lirisë së shprehjes së kërkuesit, si masë e fundit. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se pavarësisht deklarimeve të subjektit të interesuar (si në parashtrime, ashtu edhe gjatë seancës plenare), për mënyrën e këqyrjes të të dhënave kompjuterike, kërkuesit nuk i janë ofruar garancitë e nevojshme kushtetuese dhe konventore, me natyrë procedurale, për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe ruajtjen e burimeve të tjera të informacionit,ose materialeve konfidenciale, të cilat nuk lidhen me hetimin në fjalë, duke sjellë, për pasojë, shkeljen e kësaj lirie.

Për sa më lart, Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit për cenimin e lirisë së shprehjes është i bazuar, prandaj vendimet objekt shqyrtimi duhen shfuqizuar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion