Kushtetuesja, ‘kufi’ të ri SPAK: Jo më sekuestrim celularësh pa vendim gjykate! Fshi materialet që s’kanë lidhje me hetimin

Aktualitet

Kushtetuesja, ‘kufi’ të ri SPAK: Jo më sekuestrim

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Onejda Ymerit, e cila ankimoi vendimet konfirmuese të Apelit të GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për sekuestrimin e celularit të saj, në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke pretenduar se i janë cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës (komunikimi privat midis individëve) dhe të dhënat personale.

Pas një seance maratonë prej 7 orësh, Gjykata Kushtetuese pranoi që është cenuar liria dhe fshehtësia e korrespondencës së Onejda Ymerit, me arsyen kryesore që ajo nuk ka qenë vetë nën hetim penal apo e akuzuar.

Në vendim thuhet se SPAK duhet të fshijë menjëherë kopjet e korrespondencës që nuk kanë lidhje me hetimin, në kuadër të të cilit i është sekuestruar celulari. Sipas Kushtetueses, sekuestrimi i celularit nuk është thjesht send, por sekuestrim korrespondence, dhe korrespondenca garantohet në Kushtetutë e mbrohet nga arbitrariteti.

“Nëse prokuroria e sekuestron në urgjencë, duhet shkuar në gjykatë. Gjykata nuk mund të lejojë shqyrtim të gjerë të të dhënave në telefon, por duhet të jetë specifike se çfarë syri duhet të shohë,” – thotë Kushtetuesja.

Më tej, Kushtetuesja udhëzon se çfarë duhet të mbahet nga materialet e nxjerra nga celulari i Onejda Ymerit për hetimin, do ta vendosë gjykata. SPAK dhe Onejda Ymeri do të përballen në gjykatë, ku do të filtrohet në debat gjyqësor se çfarë do të marrë apo jo Prokuroria e Posaçme nga telefoni, për nevoja të hetimit.

Bëhet me dije se celulari i Onejda Ymerit është sekuestruar nga OPGJ pa vendim gjyqësor, dhe Kushtetuesja nënvizon se celulari nuk është send, por korrespondencë, dhe duhej që gjykata të jepte vendim konkret për sekuestrim korrespondence, por një vendim i tillë ka munguar.

Gjykata Kushtetuese thekson se çështjet të cilat janë ende në proces, preken nga vendimi i sotëm, duke vendosur kështu një precedent dhe standard të ri për mënyrën se si duhet të veprohet nga organet e akuzës për sekuestrimin e sendeve që përmbajnë të dhëna personale./shqiptarja

ME TE LEXUARAT