Kulmi i sezonit turistik, eksperti kriminalist jep alarmin: Kujdes nga këto kartmonedha, ja shenjat dalluese!
Sezoni turistik rrit qarkullimin e kartmonedhave mes shtetasve shqiptare dhe te huaj dhe kjo mbart me vete edhe rrezikun per prerje te falsifikuara por edhe tentativa per te futur ne treg kartmonedha te paligjshme me burim kriminal.
Ne nje postim ne rrjetet sociale eksperti kriminalist ka dhene disa keshilla ku duhet te beni kujdes.
Shkruan, Viktor Hajdari, ekspert kriminalist
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
KARTËMONEDHAT ME NJOLLA BOJE
Kemi hyrë në sezonin turistik dhe mundësia e hedhjes në qarkullim të kartëmonedhave të grabitura apo të vjedhura është e lartë, ndaj kujdes nga kartëmonedhat me njolla boje! Me shumë mundësi janë kartëmonedha të vjedhura apo të grabitura.
Refuzoni të merrni kartëmonedha me njolla boje apo të zbardhura (gjurmë veprimi kimikatesh për të hequr njollat e bojës), pasi dikush tjetër do refuzoj ti marr ato nga ju! Njollat e bojës në këtë rast, mund të jenë shkaktuar nga pajisje të sistemeve të mbrojtjes së parave nga vjedhja apo grabitja e tyre. Këto kartëmonedha konsiderohen të ardhura nga krimi dhe si të tilla ato bëhen të papërdorshme apo të pavlefshme.
Bojërat e sigurisë, që përdoren nga pajisje të sistemeve për mbrojtjen e kartëmonedhave gjatë ruajtjes apo gjatë transportit të parave, aktivizohen kur hapen me forcë kutitë ku ato mbahen (ATM, valixhe, kasaforta), duke i njollosur kartëmonedhat dhe duke i shenjuar kështu përgjithmonë si të vjedhura apo të grabitura.
Boja (që kur aktivizohet shpërndahet në formë tymi), fillimisht prek konturet e paketimit të kartëmonedhave dhe më tej avancon në brendësi të tyre. Rrjedhja e bojës nga konturet për në brendësi të sipërfaqes së kartëmonedhave, paraqitet sipas një modeli karakteristik (të njohur si efekti valor), ku jo çdo kartëmonedhë njolloset në të njëjtën masë.
Ngjyrat e bojërave më të përdorura për sigurinë e kartëmonedhave në këto raste, janë Vjollcë e ndezur, Jeshile, Blu, e Kuqe apo e Zezë.
Në disa raste, njollat në këto kartëmonedha tentohet të pastrohen me lëndë të ndryshme kimike, por veprimi i këtyre lëndëve mund të ndryshojë ngjyrën e bojës së kartëmonedhës duke krijuar zona të zbardhura, sikundër mund të dëmtojë apo të zhdukë edhe disa elementë sigurie të kartëmonedhave.
Nëse konstatohen njolla të vogla në kartëmonedhë dhe konturet janë të paprekura e të padëmtuara, atëherë ka shumë mundësi që këto njolla të jenë aksidentale, shkaktuar nga mënyra e mbajtjes apo përdorimit të tyre.