Kreu ndërhyrje në një klinikë dentare në Tiranë, italiani vdes pas 4 ditësh!
Një tjetër pacient ka ndërruar jetë pas një ndërhyrje kirurgjikale ne Shqiperi. Kësaj radhe bëhet fjalë për një pacient italian, i cili më datë 20 maj ka kryer një operacion në një klinikë dentare në rrugën 9e Kosovarëve në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se 63-vjeçari italian ka qenë me kancer në mëlçi dhe klinikës ku ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale në dhëmbë, dyshohet se nuk ia ka thënë këtë informacion. Por gjithsesi, do të jetë autopsia ajo që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes.
Në njoftimin e policisë thuhet se 63-vjeçari italian, i identifikuar me inicialet D.S., është paraqitur për mjekim në spital më 22 maj, 2 ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale. pasi nuk ishte ndjerë mirë pas ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën dentare. Pavarësisht ndihmës mjekësore që pacienti italian ka marrë në spital, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm më 24 maj.
"Më datë 22.05.2025, ka shkuar për mjekim në spital shtetasi italian D. S., 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi dyshohet se pas një ndërhyrje kirurgjikale më datë 20.05.2025, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve nuk është ndier mirë. 63-vjeçari, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore, ku i kanë marrë deklarim administratorit dhe dentistit të klinikës", njofton policia.


