KPK e shkarkoi/ KPA rikthen në detyrë gjyqtarin Bib Ndreca
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të mërkurën më 22 maj vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca. Sipas KPA, vendimarrja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e Ndrecës nuk ishte i bazuar dhe duhej ndryshuar.
KPK vendosi më 18 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Bib Ndreca, pasi nuk u konsideruan bindëse shpjegimet subjektit për të ardhurat e vëllait, i cili i kishte dhënë një hua për blerjen e apartamentit. Po ashtu, u konstatuan probleme në kontratën për kalimin e të drejtave për apartamentin, pasi u konstatuar se nënshkrimi i kontratës ishte bërë në mungesë të palës tjetër.
Ndreca e ankimoi në Kolegj vendimarrjen e KPK, duke pretenduar se prej akteve të administruara provohej se nënshkrimi ishte kryer para noterit nga të dy palët në të njëjtin moment.
Po ashtu, Ndreca e cilësoi të padrejtë konstatimin e KPK se kishte ndryshuar deklarime për burimin, duke argumentuar se gjatë shpjegimeve kishte sqaruar se burim përbënte dhe vlera e dividentit të shoqërisë së të vëllait. Ai nënvizoi se kiste deklaruar huanë e marrë nga vëllai, të dokumentuar me akt të kohës, si dhe se huadhënësi kishte pasur në arkën e shoqërisë së tij vlerën 5.8 milionë lekë që mbulonte huanë 5.5 milionë lekë.
Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo deklaroi se është vlerësuar se Ndreca ka provuar bindshëm marrëdhënien e huasë në vlerën 5.5 milionë lekë me të vëllanë në momentin e krijimit të kësaj pasurise, sikurse dhe kredinë 37 mijë euro të përdorur për shlyerjen e këtij borxhi. Çomo solli në vëmendje kontratën e huasë të vitit 2012, si dhe deklaratën periodike e atë “veting”, në të cilat është pasqyruar marrdhëniea e huamarrjes nga subjekti.