Korça pa turistë, shkak dëmtimi i rrugës Librazhd-Pogradec! Operatorët turistikë: Kjo fundjavë nuk kishte asnjë rezervim

Aktualitet

Korça pa turistë, shkak dëmtimi i rrugës

Fundjava në Korçë nuk ishte si ato të zakonshmet. Turistët dhe gjallëria që i japin juglindjes munguan dukshëm. Dëmtimi i rrugës Librazhd–Prrenjas duket se ka shkaktuar “pandemi” të turizmit.

Resortet, si kurrë më parë, nuk kishin rezervime për fundjavën.

“Numri i klientëve për këtë fundjavë ka rënë në mënyrë drastike. Është një rënie tepër e dukshme te të gjitha strukturat akomoduese të juglindjes. Sigurisht, anulimet kanë qenë të menjëhershme dhe nga vetë klientët; motivacioni ka qenë prishja e rrugës",- thotë menaxherja Eriketa Koçollari.

Situatë e ngjashme edhe në qytetin e Pogradecit. Erald Mullaj shpjegon se, përpos mungesës së klientëve, restoranti i tij dhe të tjerë po përballen me një krizë të madhe, e cila i ka detyruar të shkurtojnë stafin. Dëmtimi i rrugës ka krijuar një efekt zinxhir të krizës.

“Në momentin e parë që u dëmtua rruga, u anuluan rezervimet që kishim. Siç e shikoni, edhe këtë fundjavë nuk ka rezervime, jemi bosh. Unë kisha 12 persona në punë vetëm për të shtunën dhe të dielën. Javën e kaluar hoqa dy. Po vazhdoi rruga e mbyllur, do t’i përgjysmoj, sepse nuk po i mbaj dot",- thotë Erald Mullaj, pronar restoranti.

Restorantet dhe strukturat akomoduese, fundjava i gjeti bosh edhe në fshatin turistik të Tushemishtit. Sipas Ilir Tasellarit, projekti i ri i Drilonit, që nuk po përfundon prej dy vitesh, ka sjellë ulje të ndjeshme të vizitorëve, por ditët e fundit situata ka qenë fatale për bizneset e zonës.

“Siç po e shikoni, njerëz nuk ka. Situata është krijuar nga bllokimi i rrugës nacionale në aksin e Librazhdit. Ne jemi mësuar. Që kur filloi projekti i Drilonit, ne përballemi me këtë situatë",- thotë Ilir Tasellari, pronar restoranti

Sipërmarrësit e strukturave turistike në juglindje të vendit tashmë janë sy e veshë nga rruga dhe rikthimi i normalitetit, që po u shkakton dita-ditës vështirësi./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion