Kontrolle të shtuara në det/ Policia Kufitare e Vlorës bllokon 32 mjete lundruese dhe vendos gjoba të majme

Aktualitet

Kontrolle të shtuara në det/ Policia Kufitare e Vlorës bllokon 32

Policia Kufitare e Vlorës ka intensifikuar kontrollet në hapësirën detare gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë së lundrimit dhe parandalimin e aksidenteve në det.

Gjatë një patrullimi në Gjirin e Vlorës dhe në zonën turistike të Shpellës së Haxhi Aliut, efektivët kanë kryer kontrolle ndaj mjeteve lundruese, kryesisht gomoneve dhe skafeve, duke verifikuar dokumentacionin dhe respektimin e rregullave të sigurisë.

Drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të pajisin të gjithë pasagjerët me jelekë shpëtimi dhe të shmangin praktikat e rrezikshme gjatë lundrimit, si ulja e turistëve mbi tubolarët e gomoneve.

Kontrollet janë shtrirë edhe pranë Shpellës së Haxhi Aliut, një nga destinacionet më të vizituara në zonën e Vlorës. Policia Kufitare ka kërkuar që mjetet të mos qëndrojnë me motor të ndezur pranë hyrjes së shpellës dhe të mos futen apo kryejnë zhytje brenda saj, për të garantuar sigurinë e vizitorëve dhe mbrojtjen e zonës.

Shefja e Stacionit të Policisë Kufitare për Triportin, Amarilda Shabani, bëri me dije se kontrollet do të vijojnë çdo ditë gjatë gjithë sezonit veror, me fokus respektimin e legjislacionit detar dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda.

Sipas të dhënave të policisë, vetëm gjatë muajit korrik janë vendosur 32 masa administrative dhe janë bllokuar 32 mjete lundruese për shkelje të ndryshme. Në dy raste, për shkelje të rënda, janë vendosur gjoba me vlerë 500 mijë lekë të rinj secila.

Policia Kufitare u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e sigurisë, duke vendosur në plan të parë jetën e pasagjerëve dhe sigurinë në det.

ME TE LEXUARAT