Gazetarja zbardh operacionin e RENEA-s: Si u arrestua Safet Bajri pas kërkesës për ADN

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e Safet Bajrit në Shkodër. Sipas Lalës, fillimisht Bajrit iu dërgua një fletëthirrje nga oficerët e BKH për t’u paraqitur në Tiranë për të dhënë dëshmi dhe për t’i marrë ADN-në, por ai refuzoi, duke thënë se nuk kishte mundësi të udhëtonte me makinë të blinduar.
“Nisur nga kjo, Safet Bajrit i është thënë se duhet të paraqitej në policinë e Shkodrës ku do ti merrje ADN dhe ai ka shkuar atje i shoqëruar nga avokati i tij Sokol Tahiraj. Në pritje të marrjes së ADN, në ambientet e policisë së Shkodrës kanë mbërritur forcat e RENEA-s të cilat e kanë shtrirë në tokë dhe i kanë vënë prangat për ta transportuar drejt Tiranës ku dhe iu komunikua akuza për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018”, thotë gazetarja e News 24, Klodiana Lala.
SPAK ka vendosur masën e sigurimit "arrest me burg" për Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilanin, lidhur me vrasjen e Fatbardh Licit.
Sipas SPAK, ekzekutimi i Fatbardh Licit ka qenë një akt hakmarrjeje për vrasjen e Boran Bërçanës, i cili u vra më 15 korrik 2018 së bashku me partneren e tij, Silvi Ndoci.


