Kishin privatizuar plazhin, Policia “zbarkon” në çadrat e tre durrsakëve, ia heq shezlongët pa leje

Policia është duke vazhduar me aksionin me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhet e vendit.
Së fundmi, blutë kanë “zbarkuar” në qytetin bregdetar të Durrësit ku dhe kanë bërë të mundur heqjen e 91 çadrave dhe shezlongëve nga plazhi i Currilave në lagjen nr.1 të qytetit, të cilat ishin vendosur në mënyrë të paligjshme.
Lidhur me këtë rast, Policia po heton në gjendje të lirë tre persona, shtetasit B.D, 33 vjeç, D.V, 56 vjeç dhe E.H, 34 vjeç, banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Shërbimet e Komisariatit Durrës, në kuadër të plan-operacionit "Plazhi i lirë", kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse nga subjektet në bregdet, duke vënë çadra dhe shezlongë.
Gjatë kontrolleve, në hapësira publike, në plazhin e Currilave, në lagjen nr. 1, u hoqën dhe u sekuestruan në total 91 komplete me çadra dhe shezlongë, që ishin vënë në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. D., 33 vjeç, D. V., 56 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të tre banues në Durrës.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit, dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.


