Kë po përgjonin? Autoritetet shqiptare u njoftuan me vonesë për oficerët “në aksion” në tragetin italian në Durrës

Dy oficerë të Guardia di Finanza-s dhe një specialist IT-je italian kanë hyrë në Shqipëri paraditen e 5 dhjetorit dhe ishin planifikuar të largoheshin brenda ditës, por veprimet e tyre kanë shkaktuar shqetësim te autoritetet shqiptare. Kjo sepse ata kishin me vete pajisje të dyshuara për përgjim, por nuk kishin marrë leje dhe as informuar autoritetet tona për këtë.
Të tjera detaje në lidhje me këtë ngjarje. Raportohet se pala italiane i ka informuar autoritetet shqiptare me vonesë mbi veprimet që oficerët do të kryenin në tragetin që kishte flamur italian, të ankoruar në portin e Durrësit.
Kur tre personat tentuan të kalonin në pikën e kalimit kufitar, policia shqiptare zbuloi pajisjet që ata mbanin me vete dhe dyshohet të jenë përgjuese. I dyshimtë ishte fakti që autoritetet italiane në asnjë moment nuk kishin sinjalizuar për këto veprime nga ana e dy oficerëve dhe specialistit. Kjo ka ngritur dyshime në ka patur përgjime të paligjshme ndaj shtetasve shqiptarë, në tokën shqiptare. Sepse ata kishin zbritur në qytetin e Durrësit, para se të ktheheshin në traget për t’u rikthyer në Itali.
Por oficerët e kanë mohuar të kenë përgjuar në vendin tonë.
“Ata pretendonin se kishin për të kryer veprime hetimore përgjuese në tragetin e palës italiane për të kryer të gjitha veprimet, ndërkohë që për çështje kortezie kanë zbritur më pas në territorin e Republikës së Shqipërisë por kanë mohuar kategorikisht që të kenë kryer veprime përgjuese brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që janë kryer këto veprime, nga ana e strukturave të rendit dy oficerët e Guardia di Finanza-s dhe specialisti i IT-së janë lënë të lirë që të udhëtojnë drejt Italisë.”, tha gazetarja.
Vetëm kur u ndaluan, autoritetet italiane informuan palën shqiptare se dy oficerët dhe specialisti i IT-së ndodheshin atje për të kryer veprime në tragetin e pasagjerëve me flamur italian. Pajisjet janë bllokuar nga strukturat shqiptare, ndërsa çështja ende nuk ka shkuar në Prokurorinë e Durrësit.
Sipas burimeve, pajisjet do t’i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar nëse janë kryer veprime jashtë tragetit./tvklan


