Karamuço ngre alarmin: 6-7 drejtues policie, që SHISH i ka bërë "blozë", kishin certifikatë siguri
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka deklaruar në një emision televiziv tha se drejtues policie që ranë në operacionin e fundit në rrjetën e SPAK-ut, Shërbimi Informativ Shtetëror kishte konstatuar më parë probleme me figurën e tyre ndërkohë ata ishin pajisur me certifikatë sigurie.
“Kjo që ndodhi para 4 ditësh është metamorfozë 2-i. Këtu na dalin 6-7 drejtues të mesëm, njëri i lartë, drejtues qarqesh dhe punonjës të tjerë të policisë së Shtetit. Por për disa prej tyre ka një fenomen, këta janë pajisur me certifikatë sigurie sepse nuk mund të ushtronin atë funksion në ato nivele pa një certifikatë sigurie”, u shpreh Karamuço.
Karamuço ngriti pyetjen se si ka mundësi që SHISH ka pasur informacion sensitiv për këta oficerë policie por në anën tjetër kanë dalë të pastër, derisa u vërtetua me përgjimet në SKY.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Certifikata e sigurisë vjen nga një informacion që mblidhet nga organet ligj zbatuese dhe ato inteligjente përfshirë këtu Shërbimin Informativ Shtetëror, kalon pastaj në të gjitha filtrat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe në fund fare miratohet dhe i jepet e drejta oficerit të policisë të punojë në këto nivele.
Si ka mundësi që informacionet që vijnë nga Shërbimi Informativ Shtetëror i bëjnë blozë policët, janë parë nga njerëz që kanë akses në dokumente sekretë dhe pastaj çdo gjë përmbyset dhe këta dalin të pastër dhe marrin certifikatë sigurie. Pas 2-3 vitesh dalin lidhjet, bandat, të njëjtat gjëra që ka thënë Shërbimi në atë kohë. Si ka mundësi?!”, theksoi Karamuço.