Kapet në Kapshticë 51 kg drogë e fshehur në shasinë e “Audit Q7”, tre të arrestuar

Aktualitet

Kapet në Kapshticë 51 kg drogë e fshehur në shasinë e

Një sasi lënde narkotike është kapur nga Policia e Korçës në pikën kufitare të Kapshticës dhe si rezultat janë arrestuar tre persona.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Again” janë vënë në pranga shtetasit Julian Suljoti, 42 vjeç; Endri Merolli, 28 vjeç dhe Stelio Suljoti, 24 vjeç, banues në Korçë. Autoritetet policore bëjnë me dije se ata ishin në hetim prej 1 viti nga uniformat blu.

Në automjetin “Audi Q7” që drejtonte Julian Suljoti, Policia ka gjetur 51 kg kanabis, të ndarë në pako dhe të fshehur tek shasia e mjetit, që dyshohet se do e trafikonte në drejtim të Greqisë.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku shtetasi J. S., dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7″, që ky shtetas drejtonte. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, bëhet me dije se është sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”, e cila është gjetur gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit Julian Suljoti.

ME TE LEXUARAT